Macron vizitë në Kinë: Pekini ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se Kina ka “rol të madh” në gjetjen e një rruge drejt paqes në Ukrainë, teksa nisi vizitën treditore në Pekin.
Duke folur në një mbledhje të komunitetit francez në Pekin, para takimit me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, Macron tha se Franca po kërkon të punojë me Kinën “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Ukrainë.
Veç Macron-it, në takimin e nesërm me Xi do të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ata pritet të takojnë edhe kryeministrin kinez, Li Qiang, ndërsa mbrëmjen e 6 prillit do të marrin pjesë në një darkë shtetërore.
Diskutimet midis Macron, Xi dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht në tregti, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike. Von der Leyen, e ka paralajmëruar në fund të marsit Pekinin, se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës.
Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.
Kina shihet si i vetmi vend që mund të hapë kanale komunikimi për të gjitha palët në konflikt dhe të ushtrojë presion diplomatik efektiv ndaj Putinit.
Presidenti francez dëshiron të qëndrojë i palëkundur në çështjen e Ukrainës duke mbajtur një qëndrim pragmatik francez i përshkruar si “një rrugë tjetër”, ndryshe nga tonet drejtpërdrejt konfrontuese që dëgjohen shpesh nga SHBA-të, tha një zyrtar për agjencinë franceze të lajmeve.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




