Kina si ndërmjetëse për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë?/ Zelensky: E pres Xi Jinping të vijë këtu, dua të flas me të

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ftuar zyrtarisht liderin kinez Xi Jinping për të vizituar Ukrainën.
“Ne jemi gati ta presim atë këtu. Dua të flas me të. Kam pasur kontakte me të para luftës. Por gjatë gjithë këtij viti, më shumë se një vit, nuk kam pasur kontakte me të”, tha Zelensky për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Xi dhe presidenti rus Vladimir Putin janë aleatë të ngushtë dhe kanë forcuar lidhjet ekonomike dhe politike që kur Moska pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.
Pas vizitës të Xi në Moskë në fillim të këtij muaji, liderët kinezë dhe rusë përsëritën gatishmërinë e tyre për një sërë çështjesh, por bisedimet nuk dhanë përparim në zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës.
Kina është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetës për paqen në Ukrainë, duke propozuar për një “zgjidhje politike” të konfliktit si dhe ka bërë thirrje për një armëpushim dhe nisje të bisedimeve për paqe, transmeton CNN.
Duke folur për betejën disamujore në qytetin lindor të Bakhmutit, Zelensky tha se një disfatë e Ukrainës do të nxiste përpjekjet propagandistike të Rusisë dhe do të inkurajonte Putinin që të çonte përpara në mënyrë më agresive.
“[Putini do t’ia shiste këtë fitore Perëndimit, shoqërisë së tij, Kinës, Iranit…nëse do të ndjejë pak gjak – do të nuhasë se jemi të dobët – ai do të shtyjë, shtyjë, shtyjë”, tha Zelensky për AP.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




