Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030, negociatat pranë përfundimit vitin e ardhshëm

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një mesazh optimist për integrimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Kos u shpreh se nëse Shqipëria vijon me rezultatet në reforma dhe merr mbështetjen e shteteve anëtare, negociatat mund të jenë shumë pranë përfundimit në këtë periudhë të vitit të ardhshëm.
Kos e cilësoi këtë vit si më të suksesshmin për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian në 25 vitet e fundit, duke vlerësuar edhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces.
“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh. Ky vit do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vjet. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë, tani po mbyllim me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria.
Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, tha Kos.
Komisionerja bëri të ditur gjithashtu se hapi i mëtejshëm do të jetë krijimi i një grupi pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit, pasi të jetë mbyllur gjysma e kapitujve të negociatave. Sipas saj, traktati mund të nënshkruhet në vitin 2028.
“Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, u shpreh Kos.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



