Sulm me armë në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg, vriten 8 persona, plagosen 8 të tjerë

Tetë persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur, nga një sulm me armë brenda një salle mbledhjesh të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin verior gjerman të Hamburgut. Bild, raporton se Policia dyshon se mes viktimave, ndodhet dhe autori i sulmit.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke bërë rrethimin e zonës, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.
Kryetari i Bashkisë së Hamburgut Peter Tschentscher teksa ka shprehur tronditjen e thellë për ngjarjen e rëndë, ka shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.
Ndërsa Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, u shpreh se forcat speciale të policisë dhe një numër i madh oficerësh ndodhen në vendngjarje.
Dëshmitarët e Jehovait janë anëtarë të një lëvizjeje fetare me bazë të krishterë. Emërtimi u themelua në SHBA në fund të shekullit të 19-të, nën udhëheqjen e Charles Taze Russell. Selia e lëvizjes është në Nju Jork.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




