Lufta në Ukrainë, kreu i Wagner thotë se kanë marrë pjesën lindore të Bakhmut-it

Themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin u shpreh këtë të mëkurë se forcat e tij kishin marrë kontrollin e plotë të pjesës lindore të qytetit të Bahmutit, – gjithçka që ndodhet në lindje të lumit Bahmutka është plotësisht nën kontrollin e njësive të Wagner, u shpreh ai në një audio regjistrim të publikuar në aplikacionin Telegram.
Të martën, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u shpreh në një intervistë për CNN se nëse trupat ruse merrnin Bahmutin ata do ta kishin rrugën e hapur për të marrë qytete të tjera ukrianase.
“Pas Bahmutit ata do të vijojnë më tej”, u shpreh Zelenski.
Beteja për qytetin lindor të Ukrainës ka qenë më vdekjeprurësja e luftës dhe ka bërë që dhjetra mijëra persona të largohen që atje. Para lufte rreth 70 mijë banorë jetonin në Bahmut që ndodhet në krahinën e Donbasit. Zëvendëskryeministri ukrainas ndërkohë tha për mediet lokale një ditë më parë se më pak se 4 mijë civilë, mes të cilëve edhe 38 fëmijë, vijonin të ishin në atë qytet.
Instituti për Studimet e Luftës ndërkohë është shprehur se mbrojtja nga Ukraina e Bahmutit po detyronte Rusinë të angazhohej në një betejë me kosto për një qytet që nga ana strategjike dhe operacionale nuk është i ndonjë rëndësie të veçantë. Ekspertë ndërkombëtarë janë shprehur më parë se marrja e Bahmutit nga rusët do të ishte si fitorja e Pirros.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




