Stoltenberg: Putin s’po jep asnjë shenjë për paqe, ai s’do ta fitojë kurrë luftën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin s’po jep asnjë shenjë se ai dëshiron paqe dhe se ai nuk mund ta fitojë luftën e tij në Ukrainë.
“Pothuajse një vit që nga pushtimi i tij brutal, Presidenti Putin nuk tregon asnjë shenjë se po përgatitet për paqe. Përkundrazi, ai po fillon ofensiva të reja dhe godet civilët, qytetet dhe infrastrukturën. Putini duhet të kuptojë se ai nuk mund të fitojë dhe për këtë, ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës shpejt armët dhe municionet që i nevojiten për të rimarrë territorin dhe për të qenë një komb sovran në Evropë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin polak, Andrzej Duda në Bruksel.
Stoltenberg tha se NATO po ndërmerr hapa të mëtejshëm për të forcuar mbrojtjen e aleancës.
“Ne jemi duke përforcuar praninë dhe gatishmërinë tonë nga Deti i Zi në Detin Baltik, duke përfshirë Poloninë. Aeroplanët luftarakë nga SHBA dhe Holanda ndihmojnë në mbrojtjen e qiellit tuaj, bateritë Patriot nga Gjermania rrisin mbrojtjen tuaj ajrore dhe mijëra trupa nga të gjithë aleatët e NATO-s janë në Poloni për të ndihmuar në parandalimin e agresionit”, tha Stoltenberg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




