Në muajin shkurt rritet mumëri i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, më i larti që kur nisi pushtimi një vit më parë

Ushtarët rusë po vdesin në numër më të lartë në Ukrainë këtë muaj, krahasuar me çdo muaj të mëparshëm, që nga java e parë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Të dhënat e ukrainasve tregojnë se 824 ushtarë rusë kanë vdekur çdo ditë gjatë muajit shkurt. Këto shifra u nënvizuan edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Shifrat nuk mund të verifikohen, por Britania e Madhe thotë se të dhënat e publikuara janë “me shumë mundësi të sakta”. Rritja vjen pasi zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka nisur një “ofensivë të madhe”.
Megjithatë, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës (NSDC), Oleksiy Danilov, tha gjithashtu se Rusia po përjeton “probleme të mëdha” me fushatën.
“Trupat tona po e zmbrapsin ofensivën e tyre në mënyrë shumë fuqishme”- tha zoti Danilov.
“Ofensiva që ata planifikuan tashmë po ndodh, gradualisht, por nuk është ofensiva që ata kanë imagjinuar”- tha ai.
Javën e kaluar, ministri në largim i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, tha se ata po prisnin një ofensivë të re ruse rreth 24 shkurtit, që shënon përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë.
Disa nga luftimet më të ashpra kanë qenë rreth Bakhmutit në lindje të vendit. Të dielën, kreu i forcës mercenare ruse Wagner tha se grupi kishte kapur një vendbanim pranë qytetit të shkatërruar.
Yevgeny Prigozhin tha në Telegram: “Sot, vendbanimi i Krasna Hora u mor nga detashmentet e sulmit të PMC Wagner”.
Zoti Prigozhin i dha grupit të tij meritën për ofensivën ndaj Bakhmutit, duke minimizuar rolin e ushtrisë ruse: “Brenda një rrezeje prej 50 km, plus ose minus, ka vetëm luftëtarët Wagner PMC,”- shkroi ai.
Deklarata lë të kuptohet për tensione të gjata midis ushtrisë ruse dhe Wagner. Kur qyteti Soledar u pushtua në janar, z. Prigozhin pretendoi se luftëtarët e tij ishin në kontroll të plotë atje dhe u mburr se vetëm trupat e tij morën pjesë, një pretendim që ministria ruse e mbrojtjes e vuri në dyshim.
Rëndësia strategjike e Bakhmutit është vënë në pikëpyetje, por luftimet e zgjatura e kanë kthyer atë në një çmim simbolik. Sipas të dhënave të Ukrainës, të theksuara edhe nga Britania e Madhe, 824 humbje ruse në ditë është më shumë se katër herë se shkalla e raportuar në qershor dhe korrik, kur rreth 172 ushtarë rusë vdisnin çdo ditë.
Ushtria ukrainase pretendon 137,780 vdekje ushtarake ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje se rritja e fundit mund të jetë edhe për shkak të “një sërë faktorësh, duke përfshirë mungesën e personelit të trajnuar, koordinimin dhe burimet në të gjithë frontin”.
Ukraina “gjithashtu vazhdon të vuajë një shkallë të lartë të rëndimit të situatës”,- tha MB. Forcat ruse kanë bërë pak përparim në Ukrainë që nga tërheqja e tyre nga qyteti i madh jugor Kherson nëntorin e kaluar.
Muajin e kaluar ata pushtuan qytetin Soledar në veri të Bakhmutit pas një beteje intensive. Kapja e Bakhmutit mund t’u mundësojë forcave ruse të shtyjnë drejt qyteteve më të mëdha të Kramatorsk dhe Slovyansk.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të shpejtojnë dërgimin e armatimit të rëndë në Ukrainë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë ofensivën e pritshme të Rusisë.
SHBA ka rënë dakord javën e kaluar për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin Ukrainës të dyfishonte rrezen e sulmit. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




