Tërmeti Turqi-Siri, mijëra persona ofrohen që të birësojnë fëmijën e nxjerrë nga rrënojat

Botë | 4 vite më parë

Mijëra njerëz janë ofruar të birësojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veriperëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës. Foshnja Aya, që do të thotë mrekulli në arabisht, ishte ende e lidhur me nënën e saj, me kordonin e kërthizës, kur u shpëtua.

Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris. Aya tani është në spital.

“Ajo mbërriti të hënën në gjendje të rëndë, kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”,- tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.

Ajo tani është në gjendje të qëndrueshme. Videot e shpëtimit të Aya u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet treguan një burrë duke vrapuar në rrënojat e shembura të një ndërtese, duke mbajtur një foshnjë të mbuluar me pluhur.

Khalil al-Suwadi, një i afërm i largët, i cili ishte atje kur ajo u shpëtua, e solli të porsalindurën te Dr Marouf në qytetin sirian të Afrinit. Mijëra njerëz në rrjetet sociale kanë kërkuar detaje për ta birësuar.

“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”,- tha një person.

Një prezantuese televizive kuvajtiane tha: “Unë jam gati të kujdesem dhe ta birësoj këtë fëmijë, nëse procedurat ligjore më lejojnë.”

Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë fëmijën Aya.

Dr. Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se ajo, tha: “Unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë tani. Derisa të kthehet familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si një nga të miat.”

Për momentin, gruaja e tij po e ushqen me gji, së bashku me vajzën e tyre. Në qytetin e lindjes së Aya-s, Jidayris, njerëzit kanë kërkuar nëpër ndërtesat e shembura për të dashurit.

Një gazetar, Mohammed al-Adnan i tha BBC-së, se “situata është një katastrofë. Ka shumë njerëz nën rrënoja“. Ai vlerësoi se 90% e qytetit ishte shkatërruar dhe shumica e ndihmës deri tani ka ardhur nga banorë vendas.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme