SHBA kërkon dëbimin e mercenarëve rusë nga Sudani dhe Libia

Botë | 4 vite më parë

 Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme për të dëbuar Grupin Wagner, një kontraktor ushtarak në pronësi të një oligarku me lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, nga Libia dhe Sudani, të goditura nga kaosi, i cili është zgjeruar gjatë viteve të fundit. Kjo u bë e ditur nga zyrtarët rajonalë për Associated Press.

Përpjekja e SHBA, e përshkruar nga zyrtarët, vjen ndërsa administrata e Biden po bën një shtytje të gjerë kundër mercenarëve. SHBA ka vendosur sanksione të reja ndaj Grupit Wagner në muajt e fundit për rolin e tij në zgjerimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Grupi është në pronësi të oligarkut rus Yevgeny Prigozhin , i cili ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Pentagoni e ka përshkruar atë si një zëvendësues të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse. Kremlini mohon çdo lidhje.

Administrata Biden ka punuar prej muajsh me fuqitë rajonale të Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për të ushtruar presion ndaj udhëheqësve ushtarakë në Sudan dhe Libi për t’i dhënë fund lidhjeve të tyre me grupin.

Wagner ka vendosur mijëra operativë në vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Malin, Libinë, Sudanin, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sirinë. 

Synimi i tij në Afrikë, thonë analistët, është të mbështesë interesat e Rusisë mes rritjes së interesit global në kontinentin e pasur me burime. 

Ekspertët e të drejtave të njeriut që punojnë me SHBA, më 31 janar e akuzuan grupin për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Mali, ku po luftojnë përkrah forcave qeveritare. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme