Kontrolli, FBI s’gjen dokumente të klasifikuara në një nga shtëpitë e presidentit Biden

FBI-ja nuk gjeti dokumenta të klasifikuara gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në një nga shtëpitë e Presidentit Joe Biden, njoftoi avokati personal i zotit Biden, Bob Bauer.
Kontrolli u bë si pjesë e hetimit për materialet e klasifikuara, nga koha kur ai ishte nënpresident.
Zoti Bauer tha me anë të një deklarate se nga kontrolli në shtëpinë e plazhit të zotit Biden në Reheboth të shtetit Delauerë u morën disa materiale dhe shënime nga koha kur ai ishte nënpresident për një analizë të mëtejshme.
Ai kishte thënë më herët se kontrolli, ishte planifikuar dhe kryer me “mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të presidentit”.
Kontrolli nga agjentët e FBI-së duket të jetë një zgjerim i hetimit për mënyrën se si veproi zoti Biden me dokumentat e klasifikuara. Materiale të tilla janë gjetur në shtëpinë e tij në Uilmington të Delauerës dhe në një zyrë që ai përdori pasi shërbeu si nënpresident gjatë administratës së presidentit Barack Obama.
Kjo çështje është bërë problematike për zotin Biden, i cili pritet të shpallë kandidaturën për t’u rizgjedhur në javët ose muajt e ardhshëm. Gjetja e dokumentave të klasifikuara i heq atij dhe demokratëve të tjerë një argument kundër ish-presidentit Donald Trump, të cilit gjithashtu i’u gjetën dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.
Avokati Bauer tha se Departamenti i Drejtësisë vendosi ta bënte kontrollin pa njoftim paraprak për publikun.
Dokumente të klasifikuara janë gjetur edhe në shtëpinë e ish-nënpresidentit, Mike Pence.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka emëruar dy prokurorë të posaçëm për të shqyrtuar mënyrën e veprimit me dokumentat e klasifikuara nga zoti Trump dhe zoti Biden. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




