Rasti Memphis/Publikohet video ku policët rrahin për vdekje Tire Nichols

Botë | 4 vite më parë

Policia në qytetin jugor të SHBA-së, Memphis, Tennessee, publikoi një video të premten në mbrëmje, ku shiheshin pesë oficerë policie duke rrahur për vdekje Tire Nichols, një 29-vjeçar me ngjyrë, pas një ndalimi trafiku.

Videoja tregon oficerët duke rrahur brutalisht Nichols për tre minuta. Dy oficerë shihen duke mbajtur Nichols poshtë, ndërsa të tjerët e godasin me grusht ndërsa një oficer përdor një shkop.

Filmimi zgjat mbi një orë dhe është marrë nga kamera të shumta, Nichols mund të dëgjohet duke qarë për nënën e tij.

Memphis dhe qytete të tjera amerikane janë përgatitur për protesta të mundshme pasi policia njoftoi se do të publikonte videon e vëzhgimit të rrahjes. Familja e Nichols ka kërkuar që çdo protestë të mbetet paqësore.

Protestat u zhvilluan në Memphis të premten mbrëma, me disa dhjetëra demonstrues që bllokuan një urë në Interstate 55. Demonstruesit gjithashtu u mblodhën për mitingje në Uashington, Atlanta dhe Nju Jork.

Departamenti i Policisë së Memphisit publikoi katër video duke arritur në total më shumë se një orë filmime. Pesë oficerët, Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith u pushuan nga puna javën e kaluar.

Ata u morën në paraburgim të enjten dhe secili përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë, sulm të rëndë, rrëmbim të rëndë, sjellje të pahijshme zyrtare dhe shtypje zyrtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme