Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, viziton Kievin

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka udhëtuar sot drejt kryeqytetit ukrainas Kiev. Johnson vizitoi fillimisht një periferi të qytetit, përpara se të pritej nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Gjatë vizitës së Johnson në Ukrainë, ai u prit nga Zelensky dhe ministra të tjerë ukrainas në Kiev.
“Unë mirëpres Boris Johnson, një mik i vërtetë i Ukrainës, në Kiev. Boris faleminderit për mbështetjen tuaj!”- shkroi Zelensky në Telegram.
Ai vizitoi gjithashtu qytetet Bucha dhe Borodyanka, në veriperëndim të Kievit, të cilat u pushtuan nga forcat ruse në mars të vitit të kaluar. Pasi trupat ruse u zmbrapsën, skena të shkatërrimit në masë u zbuluan në të dy qytetet, duke përfshirë trupat e civilëve të shpërndarë përgjatë një rruge në Bucha.
Johnson tha se “vuajtjet e popullit të Ukrainës kanë vazhduar për një kohë të gjatë”.
“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte është që Ukraina të fitojë, dhe të fitojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është momenti për të dyfishuar dhe për t’u dhënë ukrainasve të gjitha mjetet që u nevojiten për të përfunduar punën. Sa më shpejt të dështojë Putini, aq më mirë për Ukrainën dhe për të gjithë botën.”- tha Johnson.
Kryeministri aktual i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak u tha se ishte “mbështetës” i vizitës së zotit Johnson.
Zoti Sunak është “gjithmonë mbështetës për të gjithë kolegët që tregojnë se Mbretëria e Bashkuar është pas Ukrainës dhe do të vazhdojë t’i mbështesë ata”,- tha sekretari i tij i shtypit.
Vizita e zotit Johnson vjen pasi presionit të shtuar që po u bëhet aleatëve të Ukrainës, përfshirë Gjermaninë, për të furnizuar më shumë tanke për vendin e shkatërruar nga lufta.
Në fillim të kësaj jave, Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se do të dërgonte tanke Challenger 2 në Ukrainë për të forcuar përpjekjet luftarake të vendit, një vendim që zëdhënësi i Johnson tha se ai e mbështeti.
Johnson ka bërë disa vizita në Ukrainë, si kryeministër dhe që kur u largua nga Downing Street. Vetëm pak ditë më parë, ai mori pjesë në një panel diskutimi mbi Ukrainën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Zelensky mori pjesë përmes një lidhje video. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




