Trazirat në Brazil, Gjykata e Lartë hap rrugën për hetimin e Bolsonaros për sulmin ndaj ndërtesave qeveritare

Gjykata e Lartë e Brazilit ka ndezur dritën e gjelbër për të përfshirë ish-presidentin e krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, në hetimin për sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në Brasília.
Është hera e parë që Bolsonaro akuzohet ndër personat që mund të jenë përgjegjës për trazirat e 8 janarit. Hetimi vjen disa ditë pasi Bolsonaro postoi një video duke vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të tetorit.
Prokurorët thanë se Bolsonaro mund të ketë nxitur krimin duke bërë pretendime të tilla. Ata i kërkuan Gjykatës së Lartë që të përfshijë ish-presidentin në hetim.
Videoja e Bolsonaro pretendonte se presidenti Luiz Inácio Lula da Silva nuk u votua në detyrë, por u zgjodh nga Gjykata e Lartë, si dhe autoriteti zgjedhor i Brazilit.
Duke vënë në pikëpyetje votën “Bolsonaro ka nxitur publikisht kryerjen e një krimi”,- tha zyra e prokurorit të përgjithshëm (PGR) në një deklaratë.
Videoja u postua pas trazirave të së dielës dhe u fshi më vonë, por zyra e prokurorit të përgjithshëm argumentoi se përmbajtja e saj ishte e mjaftueshme për të justifikuar hetimin paraprak ndaj Bolsonaros.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, njoftoi se Bolsonaro do të përfshihet në hetim për atë që PGR tha se ishte “nxitje dhe autorësi intelektuale” e trazirave.
“Figurat publike që vazhdojnë të komplotojnë kundër demokracisë do të mbahen përgjegjës,”- tha Justice de Moraes.
Mijëra mbështetës radikalë të Bolsonaros, të cilët vazhdojnë të pretendojnë se zgjedhjet ishin të manipuluara, sulmuan Gjykatën e Lartë të vendit, Kongresin dhe pallatin presidencial të dielën.
Ata kishin ndërtuar një kamp rreth kryeqytetit Brasilia për javë të tëra duke bërë thirrje për një grusht ushtarak shteti.
Bolsonaro është shtruar në një spital në Florida me dhimbje barku, tha gruaja e tij.
Ai u largua nga Brazili për në Shtetet e Bashkuara në fund të dhjetorit, pasi nuk pranoi të merrte pjesë në dorëzimin e pushtetit tek Lula.
Shumë biznesmenë dhe zyrtarë po hetohen, përfshirë edhe ish-shefin e sigurisë së Brasilias, Anderson Torres, i cili fluturoi në SHBA përpara trazirave.
Të enjten, policia bastisi shtëpinë e tij ku gjeti një dokument në të cilin bëhej fjalë për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.
Torres argumentoi se dokumenti është nxjerrë jashtë kontekstit, por ministri i Drejtësisë Flavio Dino ka thënë se ai duhet të dorëzohet deri të hënën ose do të përballet me ekstradimin.
Më herët, Lula akuzoi aleatët e Bolsonaro se ndihmuan në sulmin ndaj pallatit presidencial. Më shumë se 1200 persona janë arrestuar dhe akuzohen në lidhje me trazirat në Kongresin e Brazilit.
Tashmë janë lëshuar urdhër-arreste për disa zyrtarë të lartë të akuzuar si “përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet” që çuan në trazira. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




