Arrestohet djali i “El Chapo”, Ovidio Guzmán-López, shpërthen dhuna në Sinaloa të Meksikës

Botë | 4 vite më parë

Dhuna ka shpërthyer në veri-perëndim të Meksikës pas raportimeve se djali i mbretit famëkeq meksikan të drogës, “El Chapo”, është arrestuar. Mediat lokale pretendojnë se arrestimi i Ovidio Guzmán-López ndodhi gjatë natës në qytetin Culiacán në shtetin Sinaloa.

Ai mendohet se është një anëtar i rangut të lartë të kartelit Sinaloa, një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë. Në qytet janë raportuar të shtëna me armë dhe sulme me makina.

Kryebashkiaku Juan de Dios Gamez konfirmoi në Tëitter se forcat e armatosura federale kanë kryer një operacion në Culiacán dhe kjo ka shkaktuar dhunë në qytet dhe pjesë të tjera të shtetit.

“U kërkojmë qytetarëve të Culiacán-it që të mos largohen nga shtëpitë për shkak të bllokadave që janë vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit”, tha ai.

Raportohet se aeroporti lokal është mbyllur përkohësisht dhe se organi i qeverisjes vendore që mbikëqyr arsimin njoftoi në mediat sociale se mësimdhënia dhe aktivitetet e tjera administrative ishin pezulluar në Culiacán.

Forcat meksikane të sigurisë kishin arrestuar më parë Guzmán-López në vitin 2019, por e liruan atë për të shmangur kërcënimin e dhunës nga mbështetësit e tij.

Departamenti Amerikan i Shtetit pretendon se ai dhe vëllai i tij, Joaquín, janë aktualisht duke mbikëqyrur rreth njëmbëdhjetë laboratorë metamfetamine në shtetin e Sinaloa, duke prodhuar rreth 1,300-2,200 kg drogë në muaj.

Ata kanë nënvizuar se informacionet tregojnë se Guzmán-López urdhëroi vrasjen e informatorëve, një trafikant droge dhe një këngëtar të njohur meksikan, që kishte refuzuar të këndonte në dasmën e tij.

Në dhjetor, SHBA njoftoi një shpërblim deri në 5 milion dollarë për informacione që çon në arrestimin dhe/ose dënimin e Ovidio dhe tre vëllezërve të tij, të cilët mendohet se i kanë ruajtur pozicionet e tyre komanduese në grup.

Ndërkohë, babai i tyre po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në SHBA pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash. BBC

/rtsh.al/

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme