Zelenskyy bisedë me Macron: Perëndimi nuk ka dërguar tanke, asnjë arsye racionale

Botë | 4 vite më parë

Aleatët perëndimorë janë gati të furnizojnë Ukrainën me automjete të blinduara luftarake, por jo me tanke të rënda siç i ka kërkuar. Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një bisede online, e siguroi presidentin ukrainas se qeveria e tij do të dërgonte automjete të lehta luftarake AMX-10 RC për të ndihmuar përpjekjet e saj luftarake. Nga ana e tij Zelenskyy, falënderoi Macron për njoftimin dhe tha se ai tregon nevojën që aleatët e tjerë të ofrojnë armë më të rënda.

“Kjo është diçka që dërgon një sinjal të qartë për të gjithë partnerët tanë. Nuk ka asnjë arsye racionale pse Ukraina nuk është furnizuar ende me tanke perëndimore”, tha ai.

Po ashtu, Presidenti i SHBA, Joe Biden u shpreh se Uashingtoni po konsideron dërgimin e automjeteve luftarake Bradley në Ukrainë. Automjeti i blinduar Bradley, i cili ka një armë të fuqishme, ka qenë një element kryesor i ushtrisë amerikane për të transportuar trupa nëpër fushat e betejës që nga mesi i viteve 1980. Ushtria amerikane ka mijëra Bradley dhe ata do t’i jepnin Ukrainës më shumë fuqi zjarri në fushën e betejës dhe do të forconin aftësinë e saj në luftën e llogoreve.

Lëvizja e Biden, megjithatë, nuk do të dërgonte tanket Abrams që Ukraina ka kërkuar. Kievi ka kërkuar vazhdimisht nga aleatët perëndimorë mjete luftarake më të rënda si tanket e prodhimit gjerman Abrams dhe Leopard.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme