Nuk pagoi benzinën, 16-vjeçari vritet gjatë ndjekjes policore, mijëra njerëz ngrihen në protesta në Greqi

Botë | 4 vite më parë

Mijëra protestues kanë marshuar nëpër Selanik dhe Athinë të Greqisë, ndërsa krerët e komunitetit rom bënë thirrje për qetësi pas vdekjes së një adoleshenti që u qëllua në kokë javën e kaluar gjatë një ndjekjeje policore.

16-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur zyrtarisht, vdiq të martën, tetë ditë pasi u qëllua nga një patrullë policie pasi thuhet se u largua nga një servis pa paguar 20 euro benzinë.

I mituri ishte në kujdesin intensiv që kur iu nënshtrua një operacioni urgjent pas plagëve të marra. Ngjarja shkaktoi një sërë protestash shpesh të dhunshme në dy qytete dhe pjesë të tjera të Greqisë , pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga të afërmit e tij dhe drejtuesit e komunitetit që protestat të mbeten paqësore.

“Të gjithë këtu po qajnë. Është e padrejtë që një fëmijë të largohet kështu”, tha Antonis Tasios, sekretari i komunitetit rom ku jetonte adoleshenti.

Një oficer policie me motoçikletë e qëlloi adoleshentin gjatë një ndjekjeje pasi i riu mbushi kamioncinën e tij në një pikë karburanti dhe dyshohet se u largua pa paguar faturën 20 euro.

Policia ka thënë se adoleshenti u përpoq të përplaste motoçikletat e policisë. Oficeri 34-vjeçar i akuzuar në këtë rast tha gjatë një paraqitje fillestare në gjykatë javën e kaluar se ai qëlloi me armë për të ndaluar kamionçinë sepse kishte frikë për jetën e kolegëve të tij, por se kishte synuar gomat, jo shoferin./ Protothema

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme