Johnson: Lufta në Ukrainë duhet të përfundojë në 2023, është edhe në interesin e Rusisë dhe të Perëndimit

Botë | 4 vite më parë

Boris Johnson u kërkoi vendeve perëndimore që të shikojnë urgjentisht mundësitë se çfarë mund të bëjnë më shumë për të mbështetur Ukrainën, me qëllim që t’i jepet fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2023.

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, shfrytëzoi një artikull në Ëall Street Journal, për të argumentuar se përfundimi i luftës sa më shpejt që të jetë e mundur është “në interesin e të gjithëve, duke përfshirë edhe Rusinë”.

Johnson ka mbetur një mbështetës i fortë i Ukrainës edhe pas largimit nga detyra. Pasardhësi i tij, Rishi Sunak, i cili vizitoi Kievin muajin e kaluar, është zotuar të vazhdojë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën.

“Nuk ka asnjë marrëveshje “tokë në këmbim të paqes”, edhe nëse zoti Putin do ta ofronte atë, edhe nëse do t’i besohej, gjë është e pamundur. Është në interesin e të gjithëve, përfshirë edhe të Rusisë, që perdja të ulet sa më shpejt që të jetë e mundur. Jo në 2025, jo në 2024, por në 2023.”- deklaroi ish- kryeministri.

Johnson paralajmëron se dimri i ardhshëm mund të jetë edhe më i vështirë se ky, pasi furnizimet me gaz janë të ulëta për vendet që dikur vareshin nga Rusia.

“Sa më gjatë që Putin të vazhdojë me sulmet e tij të pakuptimta, aq më gjatë do të vazhdojë edhe hemoragjia ekonomike globale. A do të presim vërtet dhe do ta lëmë këtë gjë të lëvizë derisa zoti Putin të ketë rifituar një pjesë të ndikimit të tij? Është koha për të parë urgjentisht se çfarë mund të bëjë më shumë perëndimi për të ndihmuar ukrainasit që të arrijnë objektivat e tyre ushtarake, ose të paktën për të dëbuar rusët nga të gjitha territoret e pushtuara këtë vit. Kjo është e vetmja bazë e besueshme mbi të cilën mund të fillojnë bisedimet për të ardhmen”- deklaroi Johnson. Theguardian

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme