SHBA: Irani është tani mbështetësi kryesor ushtarak i Rusisë

Botë | 4 vite më parë

Shtetet e Bashkuara ngritën shqetësime serioze për një “partneritet të plotë të mbrojtjes” midis Rusisë dhe Iranit, duke e komentuar si “të dëmshëm” për Ukrainën, fqinjët e Iranit dhe botën.

Mbi Iranin rëndojnë akuza nga fuqitë perëndimore për furnizimin me dronë të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, gjë që i mundëson Moskës që të vazhdojë të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Uashingtoni e ka dënuar edhe më parë bashkëpunimin ushtarak Iran-Rusi, por dje e përshkroi atë si një një marrëdhënie të gjerë që përfshin shkëmbimin e pajisjeve si helikopterë, avionët luftarakë dhe dronët, gjë që çoi në sanksione të reja amerikane ndaj entiteteve ruse për përfshira në këtë partneritet.

“Rusia po përpiqet të bashkëpunojë me Iranin në fusha si zhvillimi i armëve dhe stërvitjet”,- u tha gazetarëve zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

“Moska po i ofron Iranit një nivel të paprecedentë mbështetjeje ushtarake dhe teknike, gjë që po i transformon marrëdhëniet e tyre në një partneritet të plotë në fushën e mbrojtjes”,- tha ai.

“Ne kemi parë raporte se Moska dhe Teherani po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një linje të përbashkët prodhimi për dronët vdekjeprurës në Rusi. Ne i bëjmë thirrje Iranit të tërhiqet nga ky bashkëpunim.”- nënvizoi Kirby.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj tre entiteteve me bazë në Rusi, që janë angazhuara në mënyrë aktive në “blerjen dhe përdorimin e dronëve iranianë”.

Sanksionet kanë në shënjestër Forcat Hapësinore Ruse, Qendrën Shtetërore 924 për Avionët Pa pilot dhe Komandën e Transportit Ushtarak Ajror.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin çdo mjet për të penguar këto transferime dhe për të vendosur sanksione ndaj atyre që janë përfshirë në këtë aktivitet”,- tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë mbi sanksionet.

Muajin e kaluar, Teherani pranoi se kishte dërguar dronë në Rusi, por këmbënguli se ato ishin eksportuar përpara fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Kirby tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara pasi Rusia po synon ta furnizojë Iranin me komponentë të avancuar ushtarakë, duke përfshirë helikopterë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pilotët iranianë thuhet se janë trajnuar me avionë të avancuar luftarakë Su-35 në Rusi dhe se Teherani mund të pajiset me këtë lloj avioni brenda vitit të ardhshëm, gjë që do të “forconte ndjeshëm forcën ajrore të Iranit në krahasim me fqinjët e tij rajonalë.

Shtetet e Bashkuara besojnë gjithashtu se Irani po shqyrton mundësinë e furnizimit të Rusisë me “qindra raketa balistike”, tha ai. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme