Putin: Armët tona bërthamore janë mjet parandalues

Presidenti rus, Vladimir Putin e vlerësoi sot aneksimin e territoreve të Ukrainës, si një arritje të madhe, duke nënvizuar se armët bërthamore të vendit të tij shërbejnë si mjet parandalues në luftën që Kremlini po zhvillon në Ukrainë.
Gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit presidencial për të Drejtat e Njeriut, Putin i përshkroi aneksimet tokësore si “rezultat domethënës për Rusinë”, duke vënë në dukje se “Deti i Azovit është bërë deti i brendshëm i Rusisë”, duke shtuar se “Pjetri i Madh luftoi për të hyrë në Detin e Azov”.
Rusia pushtoi pjesë të gjera të Ukrainës jugore në ditët e para të pushtimit të saj në Ukrainë, si dhe portin kyç të Detit Azov të Mariupolit në maj, pas një rrethimi gati tre-mujor.
Në fund të shtatorit, Putini aneksoi ilegalisht katër rajone të Ukrainës: Kherson dhe Zaporizhzhia në jug dhe Donetsk dhe Luhansk në lindje.
I pyetur nga një anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut se Rusia nuk do të jetë e para që do të përdorë armët bërthamore, Putini tha se “nëse nuk i përdor ata i pari, do të thotë se nuk do të mund t’i përdorë i dyti, pasi mundësia e përdorimit të tyre në rast të një sulmi bërthamor në territorin rus, do t’i kufizonte shumë mundësitë”.
Putin, i cili ka thënë vazhdimisht se Rusia është e gatshme të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj, duke përfshirë edhe zonat e aneksuara të Ukrainës, hodhi poshtë kritikat perëndimore se deklarata synonte një goditje bërthamore.
“Ne nuk jemi të çmendur. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore”,- tha Putin. “Ne i kemi ato, dhe ato janë më të avancuarat se çdo fuqi tjetër bërthamore.”
Udhëheqësi rus tha se arsenali bërthamor i vendit të tij “nuk është një faktor provokues për përshkallëzim konfliktesh, por një faktor parandalues”.
Muajin e kaluar trupat ruse u tërhoqën nga një pjesë e madhe e rajonit Kherson, duke përfshirë edhe kryeqytetin rajonal. Forcat ukrainase rimorën zonën në bregun perëndimor të lumit Dnieper.
Në përgjigje të sulmeve të fundit që goditën bazat e forcave ajrore thellë brenda Rusisë, zyrtarët rusë po punojnë për të forcuar pozicionet mbrojtëse pranë kufirit me Ukrainën.
Dy baza ajrore strategjike ruse, më shumë se 500 kilometra nga kufiri me Ukrainën, u goditën dy ditë më parë nga sulmet me dron. Moska fajësoi Ukrainën për sulmet dhe tha se dronët e modifikuar të zbulimit të epokës sovjetike u përdorën për dërgimin e eksplozivëve.
Ukraina përgjithësisht nuk merr përgjegjësi për sulme të sofistikuara.
Moska i’u përgjigj sulmeve duke lëshuar një valë raketash mbi territorin ukrainas, duke përdorur artileri, tanke dhe mortaja, duke qëlluar ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile.
Gjatë takimit me Këshillin Rus për të Drejtat e Njeriut, Putin diskutoi edhe për mobilizimin e 300,000 rezervistëve që urdhëroi në shtator për të forcuar trupat që luftonin në Ukrainë. Putin tha se deri më tani vetëm rreth 150,000 prej tyre janë dislokuar në zonat e luftimit, ndërsa pjesa tjetër ishte duke u trajnuar.
“Në kushtet aktuale, nuk ka kuptim të flasim për ndonjë përpjekje shtesë mobilizimi,”- tha ai. “Nuk ka nevojë që Ministria e Mbrojtjes ta bëjë këtë.” Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



