Lufta në Ukrainë rrit shitjet e armëve

Shitjet globale të armëve u rritën me gati 2% në vitin 2021, vit i shtati radhazi ku shënohet rritje. Kjo u bë e ditur nga një mbikëqyrës ndërkombëtar i shitjeve të armëve.
Ai shtoi se lufta në Ukrainë kishte rritur kërkesën për armë këtë vit, por konflikti mund të çojë gjithashtu edhe në një sfidë furnizimi, pasi Rusia është furnizuesi kryesor i lëndëve të para të përdorura në prodhimin e armëve.
“Kjo mund të pengojë përpjekjet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropës për të fuqizuar forcat e tyre të armatosura për të rimbushur rezervat pas dërgimit të municioneve dhe pajisjeve të tjera me vlerë miliarda dollarë në Ukrainë“,- u deklarua nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm.
“Rritja e prodhimit kërkon kohë”,- tha Diego Lopes da Silva, një studiues i vjetër me SIPRI, duke shtuar se nëse ndërprerjet e zinxhirit të furnizimeve vazhdojnë, “mund të duhen disa vite që disa nga prodhuesit kryesorë të armëve të përmbushin kërkesat e krijuara nga lufta në Ukrainë. ”
SIPRI vuri në dukje se raportimet tregojnë se kompanitë ruse po rrisin prodhimin për shkak të luftës, por kanë pasur vështirësi në aksesin e gjysmëpërçuesve, pasi ndikohen nga sanksionet lidhur me luftën.
Shitjet e armëve në 2021 arritën në 592 miliardë dollarë duke u rritur me 1.9%.
SIPRI tha se “shumë pjesë të industrisë së armëve ishin ende të prekura nga ndërprerjet e lidhura me pandeminë në zinxhirët e furnizimit global në vitin 2021, të cilat përfshinin vonesa në transportin global dhe mungesa të komponentëve jetikë”.
“Ne mund të kemi pritur rritje edhe më të madhe në shitjet e armëve në 2021, pa probleme të vazhdueshme në zinxhirin e furnizimit”,- tha Dr Lucie Béraud-Sudreau, kreu i Programit të Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve SIPRI.
Ajo veçoi kompani, si Airbus dhe General Dynamics, të cilat raportuan mungesë të fuqisë punëtore. Instituti përpiloi një listë të 100 kompanive më të mëdha të prodhimit të armëve dhe shërbimeve ushtarake në botë.
Megjithëse kompanitë amerikane dominojnë shitjet e armëve, rajoni i Amerikës së Veriut ishte i vetmi që pa një rënie prej 0.9% në shitjet e armëve krahasuar me vitin 2020.
Për vitin 2021, 27 nga 100 furnizuesit kryesorë të armëve ishin me seli në Evropë. Franca dhe Italia shënuan një rritje prej 15% të shitjeve midis 100 kompanive më të mëdha të armëve.
Shitjet e kombinuara të armëve të 21 kompanive në Azi dhe Oqeani arritën në 136 miliardë dollarë në 2021, një rritje prej 5.8%.
SIPRI vuri në dukje se përpara pushtimit rus të Ukrainës, kishte shenja stanjacioni në industrinë ruse të armëve. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



