Hetoi krimet e luftës në Kosovë, ish-kryeprokurori në Hagë emërohet këshilltar special për hetimet ndaj Trump

Botë | 4 vite më parë

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Merrick Garland, ka emëruar Jack Smith, një prokuror për krimet e luftës, për të shërbyer si këshilltar special për të mbikëqyrur hetimet e Departamentit të Drejtësisë të lidhura me Donald Trump, në lidhje me marrjen e dokumenteve sekrete dhe përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet presidenciale 2020.

Njoftimi i Garland erdhi tre ditë pasi Trump njoftoi se do të kandidonte sërish për president në vitin 2024. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA tha se kandidatura e Trump, si dhe synimi i deklaruar i presidentit demokrat Biden për të kandiduar për rizgjedhje, e bënë të nevojshëm emërimin e një këshilltari special.

“Ritmi i hetimeve nuk do të ndalojë nën vëzhgimin tim. Unë do të ushtroj gjykim të pavarur dhe do t’i çoj hetimet përpara me shpejtësi dhe tërësisht në çfarëdo rezultati që diktojnë faktet dhe ligji“, tha Smith në një deklaratë. Smith është një ish-prokuror në Nju Jork dhe së fundi ka shërbyer si kryeprokuror në Hagë, ku hetoi krimet e luftës në Kosovë.

“Emërimi i një avokati special në këtë kohë është gjëja e duhur për t’u bërë,” tha Garland në një konferencë shtypi.

Trump, në një deklaratë tha se nuk do të marrë pjesë në hetimet e këshilltarit special. “Për gjashtë vjet kam kaluar nëpër këtë dhe nuk do ta kaloj më”, tha Trump.

Rezidenca e Trump në Mar-a-Lago në Florida, nga ku ai njoftoi kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale, u kontrollua nga agjentët e FBI-së në gusht. Ata sekuestruan dokumente tepër sekrete dhe po hetohet nëse ai mund të ketë shkelur ligjin duke i mbajtur dokumentet atje pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Departamenti i drejtësisë po zhvillon gjithashtu një hetim të veçantë penal për trazirat e Kapitolit të 6 janarit 2021 dhe përpjekjet më të gjera për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme