Gjermania paralajmëron Serbinë për marrëdhëniet me Rusinë: Do ketë pasoja nëse nuk zgjidhni rrugën drejt Europës

Botë | 4 vite më parë

Gjermania ka paralajmëruar Serbinë për marrëdhëniet e saj të ngushta me Rusinë, duke e konsideruar një qëndrim që mund të komplikojë qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.

Dy ditë përpara një takimi të nivelit të lartë, që synon forcimin e bashkëpunimit të BE-së me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi), një përfaqësues i qeverisë gjermane iu referua rastit serb, duke e konsideruar qëndrimin e Beogradit me “dritë-hije”.

“Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë sigurisht që i përkasin anës së hijes,” tha ai. Dhe konkretisht ai iu referua marrëveshjes së nënshkruar në fund të shtatorit nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe homologu i tij serb në atë kohë, Nikola Selakoviq, për vazhdimin e konsultimeve mes dy ministrive për dy vitet e ardhshme.

Edhe pse Serbia e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në OKB, ajo refuzon t’i bashkohet sanksioneve evropiane kundër Moskës.

 “Nëse ai zgjedh të shkojë në rrugën drejt Evropës, atëherë do të ketë mbështetjen e BE-së dhe qeverisë gjermane. Nëse ndjek një rrugë tjetër, atëherë do të ketë pasoja të kundërta”, nënvizoi ai.

Beogradi paraqiti kërkesën e tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 23 dhjetor 2009 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në 2012. Negociatat e anëtarësimit filluan në 2013./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme