Bombardimet e rrjetit energjetike, Ukraina rrezikon të përballet me një krizë humanitare në dimër

Ukraina rrezikon të “zhytet” në një krizë humanitare këtë dimër për shkak të sulmeve të pandërprera ruse kundër infrastrukturës energjetike të vendit.
Makthi i një krize humanitare do të jetë i pashmangshëm, nëse Ukraina nuk mund të parandalojë rënien e rrjetit të saj të energjisë të bombarduar vazhdimisht, sipas kreut të kompanisë shtetërore të energjisë të Ukrainës, Volodymyr Kudrytskyi.
Kudrytskyi deklaroi se pothuajse të gjithë termocentralet e mëdha jo-bërthamore të vendit janë goditur, si dhe mbi 30% e nënstacioneve të transmetimit të rrjetit. Duke e përshkruar situatën si kritike, Volodymyr Kudrytskyi tha se Ukraina u ka kërkuar tashmë vendeve perëndimore që t’i furnizojnë, ndërsa përsëriti thirrjet për më shumë sisteme të mbrojtjes raketore për të zmbrapsur sulmet.
“Ky është sulmi më i madh raketor në infrastrukturën e energjisë elektrike në histori. Pra ndikimi është i madh. Fatkeqësisht, situata është kritike. Ata po përpiqen të shkatërrojnë në mënyrë objektive sistemin elektrik ukrainas, i cili furnizon dhjetëra miliona njerëz. Nëse sulmet ruse vazhdojnë, ndërprerjet e energjisë në Ukrainë do të bëhen më të gjata. Është e qartë se është shumë më e lehtë të lëshosh raketa sesa të rivendosësh nënstacionet”, thekson ai./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



