Meloni prezanton programin: Vendi i Italisë në NATO dhe BE! Asnjëherë s’më ka pëlqyer fashizmi

Botë | 4 vite më parë

Në një fjalim mbi 70 minuta, Giorgia Meloni ka prezantuar para parlamentit italian programin e saj qeverisës, ku rikonfirmoi vendin e Italisë në NATO dhe në BE.   

Liderja e re italiane, në fjalimin e saj të parë në parlament, ka konfirmuar edhe mbështetjen për Ukrainën.

45-vjeçarja, e cila u betua si liderja e parë grua e Italisë hodhi poshtë gjithashtu çdo lidhje me të kaluarën fashiste të vendit të saj, duke thënë se ajo “kurrë nuk kishte ndjerë simpati ose afërsi me regjimet jodemokratike duke përfshirë edhe fashizmin”.

Perspektiva e një qeverie euroskeptike, populiste që drejton ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ka ngjallur shqetësim tek aleatët e Italisë , veçanërisht në BE.

“Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe botës perëndimore,” i tha Meloni dhomës së ulët të parlamentit, duke shtuar se “do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm i NATO-s në mbështetjen e Ukrainës”.

Meloni tha se nuk do të dorëzohej para “shantazhit të Putinit për energjinë”.

Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Italia po lufton me inflacionin në rritje, të nxitur nga faturat e larta të energjisë, gjë që rrezikon ta shtyjë vendin në një recesion vitin e ardhshëm.

Meloni tha se do të forconte masat ekzistuese për të ndihmuar bizneset dhe familjet të përballen me rritjen e çmimeve, por paralajmëroi se kjo do të ndikonte në shpenzimet diku tjetër.

Pas fjalimit të saj, politikanët do të mbajnë një votëbesim ndaj qeverisë së Melonit, krahut më të djathtë në Romë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Partia ‘Vëllezërit e Italisë’ së Melonit pati një fitore historike me 26 % të votave në zgjedhjet e 25 shtatorit, me një premtim për të mbrojtur kufijtë, vlerat tradicionale dhe interesat kombëtare të Italisë jashtë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme