Rishi Sunak merr zyrtarisht detyrën, mban fjalimin e parë si kryeministër i Britanisë: Do të korrigjoj gabimet e Liz Truss

Rishi Sunak është bërë kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, pas takimit me Mbretin Charles në Pallatin Buckingham, që i dha atij mandatin për të formuar një qeveri. Ai është kryeministri i tretë këtë vit, ndërsa do të hyjë në Downing Street si kryeministri me moshën më të re në vend në dy shekuj.
Në fjalimin e tij të parë, Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar po përballet me një “krizë të thellë ekonomike” dhe se ai është zgjedhur si lideri i ri i konservatorëve për të rregulluar disa nga gabimet e Liz Truss.
“Unë do ta bashkoj vendin tonë, jo me fjalë por me veprime. Kjo qeveri do të ketë integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie në çdo nivel. Besimi duhet fituar, dhe unë do të fitoj tuajin. E kuptoj gjithashtu se kam punë për të bërë për të rivendosur besimin pas gjithë asaj që ka ndodhur. Unë do të vendos stabilitetin ekonomik dhe besimin në qendër të agjendës së kësaj qeverie. Kjo do të thotë se do të vijnë vendime të vështira. Tani për tani, vendi ynë po përballet me një krizë të thellë ekonomike. Pasojat e Covid vazhdojnë ende dhe lufta në Ukrainë ka destabilizuar tregjet në mbarë botën“, iu drejtua ai publikut nga jashtë Downing Street Nr 10.
Kryeministrja Liz Truss dha dorëheqjen, duke u bërë kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në një fjalim të shkurtër lamtumire më parë, ajo mbrojti përpjekjet e saj për uljen e taksave dhe tha se udhëheqësit duhet të jenë të guximshëm./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



