Parlamenti i Estonisë e shpall Rusinë “shtet terrorist”

Botë | 4 vite më parë

Parlamenti i Estonisë e shpalli sot Rusinë një “shtet terrorist”. 88 nga 101 deputetë në Riigikogu, votuan pro deklaratës, e cila shprehu mbështetje për hetimet e nisura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale, për krimet e kryera në territorin e Ukrainës nga Rusia. 10 deputetë munguan, 3 abstenuan në votim.

“Duke mbështetur thirrjen e Parlamentit të Ukrainës drejtuar vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, Riigikogu e shpall regjimin rus një shtet terrorist dhe Federatën Ruse një shtet që mbështet terrorizmin”,- thuhet në deklaratë.  “Riigikogu i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të miratojë deklarata të ngjashme.”

Parlamenti i Estonisë është i treti që dënon Kremlinin me terma kaq të fortë, pas dy fqinjëve të tij baltikë, Lituanisë dhe Letonisë.  Masa vjen një javë pasi Ukraina dënoi Rusinë si një shtet terrorist, në një takim urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Rusia ka dëshmuar edhe një herë se ky është një shtet terrorist që duhet të pengohet në mënyrat më të forta të mundshme,”- tha Sergiy Kyslytsya, ambasadori i Ukrainës në OKB, para deputetëve estonezë në fjalët e hapjes së një debati që u errësua nga sulmet me raketa në Kiev, si dhe qytete të tjera.  

Vendet e tjera evropiane kanë hezituar të ndjekin vendet baltike. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi më 13 tetor për të miratuar një rezolutë që e njeh Rusinë si një “shtet terrorist”.

Megjithatë, presidenti i SHBA, Joe Biden, tha javën e kaluar se ai mendon se Rusia nuk duhet të caktohet si një sponsor shtetëror i terrorizmit, edhe pse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i kishte kërkuar atij një gjë të tillë.  “Nuk është rruga më efektive apo më e fortë për të mbajtur Rusinë përgjegjëse”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. Politico

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme