Dyshohet për lidhje me Rusinë, shkarkohet shefi gjerman i sigurisë kibernetike

Kreu i agjencisë kombëtare të sigurisë kibernetike të Gjermanisë është shkarkuar nga detyra, pas raportimeve për lidhje të mundshme me inteligjencën ruse. Deklarata u bë nga Ministria e Brendshme.
Ministria tha se ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, shkarkoi Arne Schoenbohm nga posti i kreut të agjencisë BSI, pas akuzave, të cilat “dëmtonin besimin e nevojshëm të publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë” e menaxhmentit të tij, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Schoenbohm bashkëthemeloi një grup të sigurisë kibernetike një dekadë më pare, që mbledh së bashku ekspertë nga institucionet publike dhe sektori privat.
Mediat gjermane kanë raportuar se një nga anëtarët e saj ishte një kompani e themeluar nga një ish-agjent i inteligjencës ruse. Qeveria gjermane deklaroi një javë më parë se po hetonte raportet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Ekziston një shqetësim në rritje në Gjermani se infrastruktura kritike e vendit mund të jetë në shënjestër të Rusisë, për shkak të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën.
Schoenbohm, 53 vjeç, ka qenë kreu i BSI që nga shkurti 2016. Nuk është bërë publike se kush do ta zëvendësojë atë. Akuzat do të shqyrtohen dhe vlerësohen tërësisht, dhe se ekziston një prezumim i pafajësisë për Schoenbohm ndërsa hetimi është në vazhdim.
E përjavshmja gjermane e lajmeve Der Spiegel citoi Schoenbohm të thoshte se, duke qenë se nuk kishte pasur “reagime” mbi akuzat, ai kishte kërkuar të hënën që të hapeshin procedura disiplinore për të sqaruar çështjen. Ai tha se nuk e dinte ende “çfarë ka shqyrtuar ministria dhe cilat janë akuzat konkrete kundër meje”. Apnews
/rtsh.a/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



