Kundërshtimi publik në rritje, Rusia pranon se janë bërë gabime, lidhur me mobilizimin e rezervistëve

Kremlini ka pranuar sot se janë bërë gabime në përpjekjet për të mobilizuar rezervistët për ushtrinë ruse, për të luftuar në Ukrainë. Kjo u pohua mes kundërshtimit në rritje të publikut lidhur me rekrutimin. “Ka raste kur është shkelur dekreti”, tha zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, duke shtuar se “të gjitha gabimet do të korrigjohen”.
Raporte të shumta thonë se njerëz pa përvojë ushtarake, që janë shumë të moshuar ose me aftësi të kufizuara, po thirren si rezervistë. Dekreti i mobilizimit i javës së kaluar ka shkaktuar protesta të gjera. Presidenti Putin e përshkroi si mobilizim të pjesshëm më 21 shtator, bashkë me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, që më vonë tha se po thirren 300,000 rezervistë.
Raportet në mediat opozitare ruse thanë se deri në një milion njerëz mund të thirreshin, duke vënë në dukje se një paragraf që besohet të ketë lidhje me numrin e saktë të rezervistëve të kërkuar ishte hequr nga versioni i publikuar i dekretit të Putin në faqen zyrtare të Kremlinit.
Një numër ekspertësh ushtarakë në Perëndim dhe Ukrainë thonë se vendimi i Putinit për të thirrur rezervistët tregon se trupat ruse po dështojnë keq në fushën e betejës në Ukrainë. Që nga shpallja e mobilizimit, më shumë se 2,000 njerëz janë arrestuar në protestat në të gjithë Rusinë.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, pranoi se po bëheshin gabime. Ai tha se në disa rajone “guvernatorët po punojnë aktivisht për të korrigjuar situatën”. Peskov tha gjithashtu se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë vendimi për të mbyllur kufijtë e Rusisë dhe për të vendosur ligjin ushtarak në vend.
Raportet e medias sugjeruan më herët se kjo mund të bëhej për të ndaluar rekrutët e mundshëm që të arratiseshin jashtë vendit. Në shenjën e fundit të protestës publike në rritje, një burrë plagosi në mënyrë kritike një oficer të rekrutimit të ushtrisë në qytetin siberian Ust-llimsk. Pamjet që janë shfaqur në rrjetet sociale tregojnë sulmuesin duke iu afruar oficerit dhe më pas duke e qëlluar atë.
Njerëzit në ndërtesë shihen duke bërtitur dhe duke vrapuar nga paniku, pasi personi i armatosur u bërtiti atyre që të iknin. Gjatë fundjavës, njerëzit në republikën e Dagestanit të Rusisë në Kaukazin e Veriut u përleshën me policinë gjatë mobilizimit. Më shumë se 100 persona u arrestuan gjatë protestave në kryeqytetin rajonal, Makhachkala, tha OVD-Info, tha një monitorues i pavarur rus i të drejtave të njeriut.
Ka pasur raportime edhe për një sërë sulmesh me zjarrvënie në qendrat e rekrutimit dhe ndërtesa të tjera administrative në të gjithë Rusinë. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




