Si fitoi një parti me rrënjë neofashiste në Itali?

Botë | 4 vite më parë

Partia Vëllezërit e Italisë, e cila fitoi më shumë vota në zgjedhjet kombëtare të Italisë, i ka rrënjët në Lëvizjen Sociale Italiane neofashiste të pas Luftës së Dytë Botërore. Duke mbajtur simbolin më të fuqishëm të lëvizjes, flakën trengjyrësh, Giorgia Meloni i ka çuar “Vëllezërit e Italisë” nga një grup ekstrem i djathtë në partinë më të madhe të Italisë.

Një shekull pas marshimit të Benito Musolinit në Romë të vitit 1922, i cili solli në pushtet diktatorin fashist, Meloni është gati të udhëheqë qeverinë e parë të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kryeministrja e parë grua e Italisë. S

SI FILLOI POST- FASHIZMI NË ITALI?

Lëvizja Sociale Italiane, ose MSI, u themelua në vitin 1946 nga Giorgio Almirante, një shef kabineti në qeverinë e fundit të Musolinit. Ajo tërhoqi simpatizantët dhe zyrtarët fashistë në radhët e saj, pas rolit të Italisë në luftë, kur ajo ishte aleate me nazistët dhe më pas u çlirua nga aleatët perëndimorë.

Gjatë gjithë viteve 1950-1980, MSI mbeti një parti e vogël e krahut të djathtë, me votime njëshifrore. Por historiani Paul Ginsborg, ka vënë në dukje se thjesht mbijetesa e saj në dekadat e pas luftës “shërbeu si një kujtesë e vazhdueshme e thirrjes së fuqishme që autoritarizmi dhe nacionalizmi që mund të ushtronin ende midis studentëve jugorë, të varfërve urbanë dhe klasave të mesme të ulëta”.

Vitet 1990 sollën një ndryshim nën drejtimin e Gianfranco Fini, mbrojtësi i Almirantes, i cili megjithatë projektoi një fytyrë të re të moderuar të së djathtës italiane. Kur Fini kandidoi për kryebashkiak të Romës në vitin 1993, ai fitoi 46.9% të votave – jo të mjaftueshme për të fituar, por mjaftueshëm për ta vendosur atë si lojtar. Brenda një viti, Fini e riemëroi MSI-në në Aleanca Kombëtare.

Në ato vite Meloni, e cila u rrit nga një nënë beqare në një lagje të klasës punëtore në Romë, fillimisht i’u bashkua degës së të rinjve të MSI-së dhe më pas vazhdoi të drejtonte degën rinore të Aleancës Kombëtare të Finit.

A DO TË THOTË KJO SE MELONI ËSHTË NEO-FASHISTE?

Fini ishte i ndjekur nga rrënjët neofashiste të lëvizjes dhe nga vetë vlerësimi i tij se Musolini ishte “burri më i madh shteti” i shekullit të 20-të. Ai e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe në vitin 2003 kur vizitoi memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Izrael. Atje, ai përshkroi ligjet racore të Italisë, të cilat kufizonin të drejtat e hebrenjve, si pjesë e “të keqes absolute” të luftës.

Meloni, gjithashtu, e kishte lavdëruar Musolinin në rininë e saj, por pasi vizitoi Yad Vashem në vitin 2009, kur ajo ishte ministre në qeverinë e fundit të Silvio Berlusconit, duke shkruar në kujtimet e saj të vitit 2021 “Unë jam Giorgia”, ajo e përshkroi përvojën si dëshmi se si “një gjenocid ndodh hap pas hapi, pak nga pak”.

Gjatë fushatës, Meloni u detyrua të përballet me këtë çështje, pasi demokratët paralajmëruan se ajo përfaqësonte një rrezik për demokracinë. “E djathta italiane e ka dorëzuar fashizmin në histori për dekada, duke dënuar pa mëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese anti-hebreje,” tha ajo në një video të fushatës.

SI LIDHEN VËLLEZËRIT E ITALISË?

Meloni, e cila me krenari shpall rrënjët e saj si militante e MSI-së, ka thënë se shkëndija e parë e krijimit të “Vëllezërit e Italisë”, erdhi pasi Berlusconi dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011, i detyruar nga kriza financiare për borxhin në rritje të Italisë dhe problemet e tij ligjore.

Meloni refuzoi të mbështeste Mario Montin, i cili u ngarkua nga presidenti i Italisë në përpjekje për të formuar një qeveri teknokratike për të siguruar tregjet financiare ndërkombëtare. Meloni nuk mund të duronte atë që ajo besonte se ishte presioni i jashtëm nga kryeqytetet evropiane për të diktuar politikën e brendshme italiane.

Meloni bashkëthemeloi partinë në vitin 2012, duke e emërtuar atë sipas fjalëve të para të himnit kombëtar italian. “Një festë e re për një traditë të vjetër,” shkroi Meloni. Vëllezërit e Italisë do të merrnin vetëm rezultate njëshifrore në dekadën e saj të parë. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në 2019 i sollën “Vëllezërit e Italisë” në 6.4% – një shifër që Meloni thotë se “ndryshoi gjithçka”.

Si udhëheqëse e partisë së vetme në opozitë gjatë qeverisë së unitetit kombëtar të Mario Draghit 2021-2022, popullariteti i saj u rrit, me zgjedhjet e së dielës duke arritur 26%.

POR, PO LOGOJA E PARTISË?

Partia ka në qendër të logos së saj flakën e kuqe, të bardhë dhe të gjelbër të MSI-së origjinale, që mbeti kur lëvizja u bë Aleanca Kombëtare. Ndonëse më pak e dukshme se tufa e shkopinjve ose fascave, që ishte simboli i shquar i Partisë Nacional Fashiste të Musolinit, flaka trengjyrësh është megjithatë një imazh i fuqishëm që lidh partinë aktuale me të kaluarën e saj.

“Logot politike janë një formë markimi, jo shumë ndryshe nga ato që synojnë konsumatorët”, tha profesori i Universitetit Rutgers, T. Corey Brennan, i cili së fundi shkroi “Fasces: Një histori e simbolit politik më të rrezikshëm të Romës”.

Ai kujtoi se kur Almirante bëri fjalimin e tij të fundit të fushatës MSI për votuesit në zgjedhjet e vitit 1948 në Shkallën Spanjolle të Romës, ai vendosi simbolin e flakës së partisë në majë të obeliskut dhe e ndriçoi atë me prozhektorë.

“Mund të bësh çfarë të duash nga flaka, por të gjithë e kuptuan se Almirante po bënte një thirrje thellësisht emocionale për të mbajtur gjallë frymën e fashizmit,” tha ai.

SI NDIHEN ITALIANËT PËR KËTË?

Në përgjithësi, rrënjët neofashiste të partisë duket se janë më shqetësuese jashtë vendit sesa brenda. Disa historianë shpjegojnë se duke vënë në dukje njëfarë amnezie historike këtu dhe rehatinë e përgjithshme të italianëve që jetojnë me reliket e fashizmit si dëshmi se Italia kurrë nuk e hodhi poshtë Partinë Fashiste dhe Musolinin në të njëjtën mënyrë që Gjermania hodhi poshtë nacionalsocializmin dhe Hitlerin.

Ndërsa Gjermania kaloi përmes një procesi të gjatë dhe të dhimbshëm duke llogaritur të kaluarën e saj, italianët në shumë mënyra thjeshtë kanë pasur një verbëri të qëllimshme ndaj tyre. Historiani David Kertzer i Universitetit Broën vëren se ka 67 institute për studimin e Rezistencës ndaj Fashizmit në Itali dhe praktikisht asnjë qendër për studimin e fashizmit italian.

Përveç kësaj, arkitektura dhe monumentet e epokës së Musolinit janë kudo: nga lagjja EUR në Romën jugore deri te qendra olimpike e trajnimit në lumin Tiber, me obeliskun e saj që ende mban emrin e Musolinit. Kushtetuta italiane ndalon rikonstituimin e partisë fashiste, por grupet e ekstremit të djathtë ende shfaqin përshëndetjen fashiste dhe vazhdon të ketë një pranim të simboleve fashiste, tha Brennan.

“Ju nuk duhet të kërkoni shumë për shenja,” tha Brennan në një intervistë telefonike. “Plotësisht një e katërta e të gjitha mbulesave të pusetave në Romë i kanë ende fashat mbi to.”

A DO TË THOTË KJO SE ITALIANËT MBËSHTESIN FASHIZMIN?

Nëse historia është ndonjë udhërrëfyes, një konstante në zgjedhjet e fundit politike është se italianët votojnë për ndryshim, me një dëshirë për diçka të re që në dukje kapërcen ideologjinë tradicionale politike në ndërrime të mëdha lavjerrës, tha Nathalie Tocci, drejtore e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare me qendër në Romë.

Tocci tha se popullariteti i Vëllezërit të Italisë në vitin 2022 ishte dëshmi e kësaj lëvizjeje “të dhunshme” që ka të bëjë më shumë me pakënaqësinë italiane se sa me ndonjë rritje të ndjenjës neofashiste apo të ekstremit të djathtë. “Unë do të thosha se arsyeja kryesore pse një pjesë e madhe e tyre – le të themi 25-30% – do të votojnë për këtë parti është thjesht sepse është fëmija i ri në bllok,” tha ajo.

Meloni ende flet me nderim për MSI dhe Almirante, edhe nëse retorika e saj mund të ndryshojë për t’iu përshtatur audiencës së saj. Këtë verë, duke folur me një spanjishte të përsosur, ajo gjëmonte në një tubim të partisë së djathtë të Spanjës Vox:

“Po familjes natyrale. Jo lobit LGBT. Po për identitetin seksual. Jo ideologjisë gjinore.” Në Itali gjatë fushatës, ajo projektoi një ton shumë më të moderuar dhe bëri thirrje për unitet në fjalimin e saj të fitores.  “Italia na zgjodhi ne,” tha ajo. “Ne nuk do ta tradhtojmë atë, siç nuk e kemi bërë kurrë.” Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme