Shpërthimet në Krime bëjnë të dukshme cënueshmërinë e forcave ruse

Një seri shpërthimesh, e kanë kthyer Krimenë e pushtuar nga Rusia nga një bazë e sigurt në prapavijë, në një fushë beteje të re. Kjo ka demonstruar si cënueshmërinë e rusëve, por dhe aftësinë e ukrainasve për të goditur thellë, pas linjave të armikut. Nëntë avionë luftarakë rusë u shkatërruan në një bazë ajrore në Krime javën e kaluar, ndërsa një depo municioni shpërtheu.
Autoritetet ukrainase nuk kanë marrë publikisht përgjegjësinë, duke preferuar ta mbajnë botën me hamendje, por Presidenti, Volodymyr Zelenskyy, aludoi për sulmet ukrainase prapa linjave të armikut, pas shpërthimeve të fundit. Rusia i interpreton si akte “sabotazhi”. Rusia e pushtoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014.
Ajo e ka përdorur atë si një terren për sulmet ndaj Ukrainës në luftën që filloi më 24 shkurt. Autoritetet ukrainase janë zotuar të rimarrin Krimenë dhe territoret e tjera të pushtuara. Shpërthimet përfaqësojnë pengesën më të fundit për Moskën, e cila filloi pushtimin e saj me shpresën për të marrë Kievin në një ofensivë rrufe, por shpejt u tërhoq përballë rezistencës së ashpër të Ukrainës.
Teksa lufta i afrohet kufirit të gjashtëmujorit, të dy palët janë përfshirë në një luftë rrënuese, duke luftuar fshat më fshat, kryesisht në lindje të vendit. Sulmet në Krime mund të shënojnë hapjen e një fronti të ri që do të përfaqësonte një përshkallëzim të rëndësishëm në luftë.
“Komandantët rusë ka shumë të ngjarë të shqetësohen gjithnjë e më shumë me përkeqësimin e dukshëm të sigurisë në të gjithë Krimenë, e cila funksionon si zonë baze e pasme për okupimin”, shkroi Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në Twitter. Si rezultat i sulmeve në aeroport, Rusia po lëviz dhjetëra avionë luftarakë dhe helikopterë në pozicione më të thella në Krime. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




