Kriza energjetike, Kina detyron mbylljen e fabrikave në disa qytete

Provinca Sichuan e Kinës ka urdhëruar mbylljen gjashtë-ditore të të gjitha fabrikave të saj, në një përpjekje për t’u marrë me mungesën e energjisë në mes të një vale të të nxehtit që ka goditur rajonin. Qeveria rajonale e Sichuan, një nga provincat më të mëdha të vendit me 84 milionë banorë, në një njoftim urgjent urdhëroi 19 nga 21 qytetet e saj kryesore që të pezullojnë prodhimin në të gjitha fabrikat nga e hëna deri në të shtunën. Qëllimi është të sigurohet një sasi e mjaftueshme e energjisë elektrike për përdorim shtëpiak. Sichuan është një qendër prodhimi për industrinë e gjysmëpërçuesve dhe paneleve diellore, dhe mbyllja e fabrikës pritet të godasë disa nga kompanitë më të mëdha të elektronikës.
Përveç kësaj, provinca është një qendër minerare për litiumin, një komponent kyç për bateritë e automjeteve elektrike dhe ndërprerja e prodhimit dhe logjistikës mund të rrisë koston e lëndës së parë.
Kina po përjeton valën më intensive të të nxehtit në gjashtëdhjetë vjet, me temperatura që i kalojnë 40 gradë Celsius në dhjetëra qytete.
Vapa ekstreme ka shkaktuar një rritje të përdorimit të kondicionerëve në shtëpi dhe zyra, duke shkaktuar presion të madh në rrjetin elektrik. Përveç kësaj, për shkak të thatësirës, nivelet e lumenjve kanë rënë në mënyrë dramatike, duke ulur kështu sasinë e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet.
Përveç Sichuan, provinca të tjera të mëdha kineze, përfshirë Jiangsu, Anhui dhe Zhejiang, u kanë kërkuar bizneseve dhe familjeve që të kursejnë energjinë elektrike pasi vala e të nxehtit ka reduktuar shumë prodhimin e energjisë.
Në disa zona, kondicionerët në zyra u urdhëruan të punonin mbi 26 gradë Celsius ose ashensorët u pezulluan për tre katet e para për të kursyer energji./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




