Stoltenberg: NATO s’mund të qëndrojë indiferente ndaj luftës së Rusisë, mbështetja ndaj Ukrainës ka kosto

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një fjalimi në Norvegji, ka deklaruar se aleanca ushtarake nuk mund të jetë indiferente ndaj luftës brutale që Rusia po i shkakton Ukrainës. Sipas CNN, Stoltenberg shprehu bindjen se NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe vlerësoi aleancën për angazhimin përpara me pranimin e Finlandës dhe Suedisë si anëtarë të saj të rinj.
“Ne po shohim akte lufte, sulme ndaj civilëve dhe shkatërrime që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Disa orë më parë, Senati i SHBA ratifikoi protokollet e anëtarësimit. Kjo e çon në 23 numrin e aleatëve që tani kanë ratifikuar pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO… deri më tani, ky ka qenë procesi më i shpejtë i anëtarësimit në historinë moderne të NATO-s “, tha ai.
Stoltenberg gjithashtu pranoi se mbështetja e NATO-s për Ukrainën ka një kosto, ndërsa theksoi më tej se NATO nuk mund të lejojë që Rusia të ketë sukses në Ukrainë.
“Ne paguajmë një çmim për mbështetjen tonë ndaj Ukrainës. Për mbështetjen ushtarake, humanitare dhe financiare. Për sanksionet, të cilat kanë rezultuar në rritje të inflacionit dhe çmime më të larta në vendet tona. Por mbani mend – çmimi që paguajmë mund të matet në para. Çmimi që paguan Ukraina matet me jetë njerëzore. Qindra të vrarë ose të plagosur çdo ditë.
Një botë ku mësimi për Putinin është se ai merr atë që dëshiron duke përdorur forcën ushtarake është gjithashtu një botë më e rrezikshme për ne. Nëse Rusia e fiton këtë luftë, ai do të ketë konfirmimin se dhuna funksionon. Pastaj vendet e tjera fqinje mund të jenë të radhës”, tha Stoltenberg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




