Përleshje në kufirin Afganistan-Iran

Botë | 4 vite më parë

Forcat talebane të Afganistanit janë përleshur me rojet kufitare iraniane në kufirin mes dy vendeve. Qeveria afgane thotë se një oficer i saj u vra në luftimet e së dielës, të cilat ndodhën në zonën kufitare midis provincës Nimroz të Afganistanit dhe rajonit Hirmand të Iranit.

Secili vend fajësoi tjetrin për incidentin. Ka pasur disa përleshje në kufi që kur militantët talebanë pushtuan Afganistanin një vit më parë. Irani nuk e ka njohur qeverinë talebane në Kabul. Rrethanat e sakta të përleshjes së fundit janë të paqarta.

“Kemi një të vrarë dhe një të plagosur”, tha zëdhënësi i policisë së Nimroz, Bahram Haqmal për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në provincën Sistan va Baluchestan të Iranit, zyrtari i Hirmand, Maysam Barazandeh u citua nga agjencia e lajmeve Fars të thoshte se nuk kishte viktima nga pala iraniane. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim tha se luftimet shpërthyen pasi forcat talebane u përpoqën të ngrinin flamurin e tyre “në një zonë që nuk është territor afgan”, duke çuar në një shkëmbim të shtëna me armë zjarri që zgjati “disa minuta”.

“Forcat tona dhanë përgjigjen e nevojshme,” tha zoti Barazandeh.

Muajin e kaluar Ministria e Jashtme e Iranit raportoi vdekjen e një roje kufitare iraniane pas një tjetër incidenti në të njëjtën zonë. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme