Vizita e Pelosi në Tajvan, Pekini zotohet për pasoja nëse politikania amerikane udhëton në ishull

Botë | 4 vite më parë

Plani i përfolur i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi, për një udhëtim në Tajvan ka zemëruar Kinën dhe e ka lënë Shtëpinë e Bardhë me një dhimbje koke të rëndë gjeopolitike.

Sa problem i madh është ky?

Kina ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse zonja Pelosi do të vazhdonte me vizitën e saj. E dyta në radhën e presidencës, zonja Pelosi do të ishte politikania më e lartë amerikane që do të udhëtonte në ishull që nga viti 1997. Kjo e shqetëson Kinën, e cila e sheh Tajvanin e vetëqeverisur si një provincë të shkëputur që duhet të bëhet pjesë e vendit.

Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për ta arritur këtë. Edhe administrata Biden thuhet se është përpjekur që të bind demokraten e Kalifornisë që të mos shkojë. Javën e kaluar, presidenti Joe Biden u tha gazetarëve se “ushtria mendon se nuk është një ide e mirë”, por Shtëpia e tij e Bardhë e ka quajtur retorikën kineze kundër çdo udhëtimi të tillë “qartësisht të padobishme dhe jo të nevojshme”. Departamenti i Shtetit thotë se zonja Pelosi nuk ka njoftuar ndonjë udhëtim dhe qasja e SHBA ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar.

Ndërsa SHBA ruan atë që quhet “marrëdhënie e fortë, jozyrtare” me Tajvanin, ajo ka lidhje zyrtare diplomatike me Kinën dhe jo me Tajvanin. Udhëtimi i zonjës Pelosi, nëse do të ndodhte, vjen gjithashtu në mes të tensioneve të shtuara midis Uashingtonit dhe Pekinit – dhe përpara një telefonate të shumëpritur midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping.  BBC

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme