Lufta në Ukrainë, Lavrov: Rusia është e gatshme të zgjerojë qëllimet e luftës

Përqendrimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë nuk është më “vetëm” në lindje të vendit, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Në një intervistë me median shtetërore ruse, ai la të kuptohej se strategjia e Moskës kishte ndryshuar, pasi Perëndimi furnizoi Ukrainën me armë me rreze më të gjatë.
Rusia tani do të duhet të shtyjë forcat ukrainase më tej nga vija e frontit për të garantuar sigurinë e saj, shpjegoi ai. Shtetet e Bashkuara kishin akuzuar më herët Rusinë për përgatitjen e aneksimit të pjesëve të Ukrainës. Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke pretenduar në mënyrë të rreme se rusishtfolësit në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, kishin pësuar një gjenocid dhe duhej të çliroheshin.
Pesë muaj më vonë, Rusia ka pushtuar pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, por ajo dështoi në qëllimin e saj fillestar për të kapur Kievin dhe që atëherë ka pretenduar se objektivi i saj kryesor ishte çlirimi i Donbasit.
Që nga shkurti, Perëndimi e ka furnizuar Ukrainën me armë gjithnjë e më të fuqishme për t’i përdorur në mbrojtjen e saj kundër forcave ruse. Zoti Lavrov thotë se kjo e ka detyruar Rusinë të zgjerojë më tej objektivat e saj. “Ne nuk mund të lejojmë që pjesa e Ukrainës e kontrolluar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të posedojë armë që do të përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë,” tha zoti Lavrov në intervistën me Margarita Simonyan – një komentator i njohur për gjuhën ruse, TV dhe kryeredaktor i transmetuesit RT.
“Gjeografia është ndryshe tani,” tha ai, duke përmendur rajonet jugore Kherson dhe Zaporizhzhia, si objektivat e fundit të Rusisë. Forcat e Moskës tashmë kanë pushtuar pjesë të të dy rajoneve.Z. Lavrov iu referua në mënyrë specifike sistemit të raketave me rreze më të gjatë veprimi Himars – i furnizuar vetëm kohët e fundit nga SHBA – me të cilin Ukraina ka pasur njëfarë suksesi.
Për dy ditë me radhë forcat ukrainase kanë përdorur Himars për të goditur një urë kyçe strategjike në Kherson të pushtuar, thonë raportet. Ura Antonivskyi është një nga dy urat në të cilat mbështetet Rusia për të furnizuar zonat që ka kapur në bregun perëndimor të lumit Dnipro, duke përfshirë qytetin Kherson. Ministri i Jashtëm rus i përshkroi veprimet e Perëndimit në dhënien e armëve Ukrainës si një “zemërim të pafuqishëm” dhe një “dëshirë për t’i përkeqësuar gjërat”. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




