Ndryshimet tatimore zemërojnë qytetarët në Hungari, protestat vazhdojnë për të pestën ditë kundër Orbanit

Botë | 4 vite më parë

Për të pestën ditë radhazi vijojnë protestat në Hungari kundër qeverisë së Orban, pasi parlamenti miratoi ndryshimin e ligjit për rregulla të reja tatimore që prek biznesin e vogël.

Mijëra njerëz protestuan në Budapest kundër rregullave të reja të taksave nën moton “Qëndroni për viktimat e qeverisë së Orbanit” teksa zemërimi i tyre thellohet mbi ndryshimet tatimore.

Protestat janë të parat që kur kryeministri Viktor Orban fitoi një mandat të katërt radhazi në prill.

“Është çmenduri ajo që ata [qeveria] kanë bërë,” tha një protestues, ndërsa një tjetër tha se “Qeveria aktualisht po planifikon masa të tilla shtrënguese [por] njerëzit nuk mund t’i tolerojnë më ato.”

Orban mbrojti ndryshimin e ligjit të taksave si “të mirë dhe të nevojshëm”.

Pavarësisht kufijve të çmimeve për gjërat thelbësore, Hungaria përballet me inflacion në rritje dhe një rënie të monedhës vendase. Hungaria, e cila varet kryesisht nga nafta dhe gazi rus, shpalli një “gjendje rreziku” të mërkurën për krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme