Greqi/ Rrëzohet avioni ukrainas me 11.5 ton municione! Ishte nisur nga Serbia drejt Bangladeshit

Një avion është rrëzuar në Greqi, në Kavallë, ndërsa sipas mediave greke, avioni ishte i ngarkuar me 11.5 ton municione. Avioni, me 8 persona në bord, ishte nisur nga qyteti i Nishit në Serbi dhe kishte si destinacion Bangladeshin.
Nuk dihet asgjë për fatin e personave që ishin në bord, teksa autoritetet po mendojnë evakuimin e fshatit Antifilipi, për shkak të frikës nga shpërthimet. Janë ende duke u bërë verifikime nëse materiali luftarak që po transportohej nga avioni është i rrezikshëm për sigurinë publike.
As ekipet e shpëtimit nuk i janë afruar vendit të aksidentit më afër se 50 metra, pasi është konstatuar një substancë e bardhë që shkakton djegie të syve dhe buzëve. Municionet janë shpërndarë në një zonë të gjerë nga përplasja, ndërsa po ashtu është vënë re edhe një rritje nxehtësie. Megjithatë matjet për radioaktivitet nuk kanë treguar asgjë alarmante.
Avioni, Antonov-12, ishte ukrainas dhe i përkiste kompanisë Meridian. Gjatë fluturimit ai pësoi një defekt mekanik dhe piloti donte të bënte një ulje emergjente, por nuk mundi. Konkretisht, në komunikimin e tij me Kullën e Kontrollit, piloti bëri me dije se po përballej me një problem, si dhe se zjarri në motorin e avionit po krijonte probleme të tjera dhe deklaroi se do të tentonte të ulej në Kavallë. Avioni kishte humbur motorin e katërt në ajër dhe për pasojë kishte marrë flakë./ CNN.gr
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




