Macron thirrje francezëve: “Kthjelltësi kolektive” për të luftuar mungesën e gazit

Botë | 4 vite më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi “kokthjelltësi kolektive” nga banorët e vendit të tij “për të qenë në gjendje të konsumojnë më pak” përballë mungesës së gazit, shkruan CNN.

“Ne jemi në një të ashtuquajtur luftë hibride. Pra, energjia nuk është pasojë e sanksioneve tona. Rusia përdor energjinë ashtu siç përdor ushqimin në fakt, si një armë lufte”, tha ai në një intervistë nga kopshti i Pallatit Elysée pas paradës tradicionale të Ditës së Bastiljes të enjten. 

Macron tha se ai “do t’u kërkonte administratave publike, grupeve të mëdha dhe të gjithë atyre që munden të hartojnë një plan tani, këtë verë” për të reduktuar konsumin e përgjithshëm dhe për të kursyer gazin.

“Unë mendoj se sot duhet të përgatitemi për një skenar në të cilin duhet të bëjmë pa gazin rus në tërësinë e tij,” i tha Macron gazetares së France 2 Caroline Roux dhe gazetares së TF1 Anne-Claire Coudray.

“Ky skenar nuk është teorik. Është një skenar shumë i ashpër dhe ne duhet të përgatitemi për të”, tha ai.

Macron gjithashtu kërkoi të qetësonte francezët, duke thënë se “ne po rimbushim rezervat tona për të rikthyer pothuajse 100% të rezervave tona deri në vjeshtë”, duke përsëritur gjithashtu se Franca “nuk është shumë e varur nga gazi rus”.

Franca merr më pak gaz nga Rusia se disa nga fqinjët e saj europianë.

Duke folur më në përgjithësi për luftën në Ukrainë, Macron tha se “ne të gjithë duhet të përgatitemi për faktin se ajo do të zgjasë”, duke shtuar se vera dhe fillimi i vjeshtës “pa dyshim do të jenë shumë të vështira”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme