OKB do të hetojë vrasjet dhe plagosjet e fëmijëve në Ukrainë, Etiopi dhe Mozambik

Zyrtarët e OKB-së do të hetojnë vrasjet dhe plagosjent e fëmijëve në Ukrainë, Etiopi dhe Mozambik, tha të hënën shefi i OKB-së Antonio Guterres në një raport që zbuloi se 2,515 fëmijë u vranë dhe 5,555 u gjymtuan në konfliktet globale në 2021, raporton Reuters.
Raporti vjetor “Fëmijët dhe Konflikti i Armatosur” verifikoi gjithashtu rekrutimin dhe përdorimin e 6310 fëmijëve në konflikte globalisht në vitin 2021. Shkelje të tjera që mbulon janë rrëmbimet, dhuna seksuale, sulmet në shkolla dhe spitale dhe mohimi i ndihmës.
Ai zbuloi se numri më i madh i shkeljeve të verifikuara ndaj fëmijëve në vitin 2021 ishin në Jemen, Siri, Afganistan, Republikën Demokratike të Kongos, Somali, Izrael dhe Territoret Palestineze.
Guterres tha se raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë shkelje të verifikuara kundër fëmijëve në Ukrainë, Etiopi dhe Mozambik.
E dërguara e tij speciale për fëmijët dhe konfliktin e armatosur, Virginia Gamba, tha se dy shkeljet më shqetësuese që dolën nga konflikti në Ukrainë ishin vrasja dhe gjymtimi i fëmijëve dhe sulmet në shkolla dhe spitale.
Rusia pushtoi Ukrainën fqinje më 24 shkurt dhe mohon të ketë shënjestruar zonat civile.
Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet tha javën e kaluar se që nga 3 korriku, 4,889 civilë ishin vrarë në Ukrainë, duke përfshirë 335 fëmijë, duke theksuar se shifra reale ka të ngjarë shumë më e lartë.
Raporti për fëmijët dhe konfliktet e armatosura përfshin një listë të zezë që synon të turpërojë palët në konflikt me shpresën për t’i shtyrë ata të zbatojnë masa për mbrojtjen e fëmijëve. Ka qenë prej kohësh e diskutueshme, me diplomatët që thonë se Arabia Saudite dhe Izraeli kanë ushtruar presion në vitet e fundit në një përpjekje për të qëndruar jashtë listës.
Izraeli nuk ka qenë kurrë në listën e zezë, ndërsa një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite u hoq nga lista në vitin 2020 disa vite pasi u emërua për herë të parë për vrasjen dhe plagosjen e fëmijëve në Jemen.
Forcat izraelite të sigurisë vranë 78 fëmijë palestinezë, gjymtuan 982 të tjerë dhe arrestuan 637 fëmijë palestinezë në vitin 2021, sipas raportit, ndërsa në Jemen koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vrau dhe gjymtoi 100 fëmijë vitin e kaluar.
“Nëse situata përsëritet në vitin 2022, pa përmirësime domethënëse, Izraeli duhet të renditet”, shkroi Guterres. Ai vuri në dukje një “ulje të vazhdueshme të numrit të viktimave të fëmijëve” nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.
Misionet izraelite dhe saudite të OKB-së në Nju Jork nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi raportin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




