Tragjedia në Itali, e mbijetuara: Dëgjuam një zhurmë të tmerrshme dhe më pas pashë si akulli mori para njerëzit

Botë | 4 vite më parë

“Një ngjarje që nuk mund të përshkruhet”, kështu e cilëson një prej të mbijetuarve tragjedinë në malin Marmolada në Itali, ku masivi i akullit i mori jetën 6 alpinistëve, plagosi 8 të tjerë, ndërsa 20 rezultojnë të zhdukur. Elisa Dalvit thotë se askush nuk e priste atë që ndodhi dhe se ajo dhe 4 persona të tjerë ishin me fat që shpëtuan, pasi kishin qenë më lart se pika ku ndodhi rrëshqitja e masivit të akullit. Ajo tregon se duhej të kishin qenë të paktën 30 persona që po ngjisnin malin.

“Unë isha me 4 persona të tjerë dhe ishim më lart se pika ku filloi shkëputja  e akullit. Dëgjuam një zhurmë të tmerrshme, pamë një skenë që nuk mund të përshkruhet, njerëz që ‘fluturonin’ pasi u morën nga akulli”, ka treguar ajo.

Në lidhje me deklaratat e zyrtarëve se kjo nuk është periudha ku mund të bëhen ngjitje në mal, Dalvi shprehet se ata kishin pyetur dhe se i kishin thënë se kjo është periudha më e pëlqyer për turistët.

“Shkuam në qendrën informuese dhe na thanë se kjo është një periudhë shumë e pëlqyer për turistët dhe nuk mendoj se e kanë thënë nga papërgjegjshmëria. Një nga udhërrëfyesit ishte një baba që mori me vete edhe djalin e tij. Nuk mund të ishte i papërgjegjshëm sa të rrezikonte jetën e fëmijës së tij”, tha ajo. / TGCOM

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme