Afati kushtetues përfundoi në mesnatë, Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën konstituive

Kosovë | 2 muaj më parë

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot (8 gusht) në orën 11:00, pavarësisht përplasjes politike dhe përfundimit të afatit 30 ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancë pritet të vazhdohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vendosur që deputetët të mblidhen të shtunën paradite, pasi seanca e nisur të enjten mbeti pa u përfunduar.

Seanca ishte ndërprerë të enjten, kur Dehari vendosi ta shtyjë vazhdimin për një kohë të pacaktuar, pas kërkesës së kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për më shumë kohë për zhvillimin e bisedimeve politike.

Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar takime në përpjekje për të gjetur një marrëveshje politike që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja dhe tejkalimit të ngërçit politik.

Megjithatë, edhe takimi i fundit mes tyre nuk ka sjellë ndonjë marrëveshje konkrete. Pak orë më vonë, Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahet të shtunën në orën 11:00.

Opozita kërkoi seancë para mesnatës

Vendimi për shtyrjen e seancës është kundërshtuar nga tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK. Ato kanë kërkuar që deputetët të mblidheshin të premten në mbrëmje, para përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së deklaruan se u paraqitën në ambientet e Kuvendit gjatë mbrëmjes së të premtes, duke kërkuar që seanca të vazhdonte para mesnatës.

Megjithatë, sipas tyre, salla ku zhvillohet seanca konstituive nuk u hap dhe vazhdimi i mbledhjes nuk u bë i mundur.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se opozita e kishte përcjellë me kohë kërkesën te kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dhe te administrata e Kuvendit. Ai tha se mosmbajtja e seancës brenda afatit përbën shkelje të rendit kushtetues.

Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e kritikoi vendimin për shtyrjen e seancës. Ai tha se deputetët e partisë së tij kishin qëndruar në Kuvend për të dëshmuar gatishmërinë për të marrë pjesë në seancë.

Në të njëjtën linjë ishte edhe LDK-ja. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, tha se grupi parlamentar kishte kërkuar që seanca të zhvillohej para përfundimit të afatit kushtetues.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme