Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Jaupaj- Shqipëria do të përmbyllë edhe kapitullin e mjedisit brenda 2027
Zjarret, thatësira e zgjatura, përmbytjet, ndotja e ajrit janë sfida me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre dhe Shqipëria. Këto sfida marrin rëndësi të veçantë edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Lajmi i mirë për Shqipërinë është se prej 1 viti ka hapur grup kapitullin e katërt, ku bën pjesë edhe kapitulli i mjedisit, i cili mbetet më i vështiri, pasi përveç përshtatjes së legjislacionit, kërkon edhe investime të mëdha.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mori pjesë në takimin e tretë ministror të Agjendës së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, një proces që synon të afrojë politikat mjedisore të rajonit me standardet e Bashkimit Europian.
“Jemi duke punuar si një ekip shumë i madh i Ministrisë së Mjedisit, së bashku me 29 institucione që mbulojnë të gjitha nënfushat e Kapitullit 27. Deri tani, kemi bërë një progres shumë të mirë sa i takon sistemimit të akteve ligjore”, u shpreh Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit.
Edhe sa i përket zonave të mbrojtura, Ministri Jaupaj tha se qasja e Shqipërisë do të jetë në përputhje me direktivat e BE.
“Për zonat e mbrojtura. Ne jemi në komunikim të drejtpërdrejtë me Komisionin Europian për të plotësuar të gjitha ato piketa mbyllëse që kërkohen në konkluzionet operacionale”, tha ai.
Në takimin që u zhvillua në Zhabjak të Malit të ZI vendet e rajonit u angazhuan të zbatojnë Strategjinë e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike, që ka në fokus restaurimin e peizazheve pyjore dhe reduktimin e ndotjes.
“Ne vendosëm parakushtet për tu angazhuar të gjithë së bashku sepse kjo është një kauzë e përbashkët dhe shpresoj që me këtë angazhim të fortë të qeverive të rajonit të vazhdojmë që çojmë përpara përpjekjet tona për të mbrojtur mjedisin dhe për të reduktuar ndotjen”, u shpreh Amer Kapetanovic – Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




