Aksident në hyrje të Kanalit të La Manch-it/Minibusi përplaset me trenin, 19 të plagosur

Europë | 31 minuta më parë

19 persona mbetën të plagosur në anën franceze të tunelit të Kanalit të La Manshit pasi një minibus, që transportonte drejtues kamionësh të kombësive të ndryshme, u përplas me një tren që kishte ndaluar në platformën e ngarkimit të automjeteve.

“Pesë persona janë të plagosur më rëndë, por asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”- bëri të ditur prefekti rajonal në një deklaratë. Zona përreth hyrjes së tunelit u mbyll përkohësisht pas aksidentit mbrëmjen e së enjtes, ndërsa një helikopter dhe disa automjete të shërbimeve emergjente ishin të pranishme në vendngjarje.

Po hetohen shkaqet e incidentit, për të cilin autoritetet franceze thanë se nuk duket i qëllimshëm. Sipas tyre, trafiku i mallrave nuk u ndërpre, por transporti i pasagjerëve u pezullua për rreth një orë, ndërsa shërbimet e emergjencës u kujdesën për të plagosurit.

Shërbimi i trenave të pasagjerëve me shpejtësi të lartë  Eurostar tha se shërbimet e tij nuk u prekën. Me një gjatësi prej 50 km, Tuneli i Kanalit të la Manch-it është linja hekurudhore nënujore më e gjatë në botë, që lidh Coquelles në Francën veriore dhe Folkestone në Angli që nga viti 1994. Tuneli mes dy vendeve përdoret nga disa qindra trena çdo ditë, ndërsa në vit regjistrohen rreth 2.2 milionë kalime makinash dhe 8 milionë pasagjerë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme