Aksident tragjik në Gjermani, ktheheshin nga Kosova pas pushimeve, humbin jetën tre persona nga e njëjta familje

Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në Gjermani, teksa po ktheheshin drejt vendit ku jetonin pas pushimeve në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e viktimave, të cilët njoftuan se bëhet fjalë për T.A., 61 vjeç, djalin e tij G.A., 34 vjeç, si dhe L.A., 16 vjeç.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndodhur një aksident me pasoja tragjike në Gjermani, teksa vëllezërit tanë po ktheheshin nga Kosova”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat ishin pjesë e së njëjtës familje me prejardhje nga Ferizaj. Përplasja rezultoi fatale dhe të tre humbën jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.
Operacioni i shpëtimit u zhvillua në kushte të vështira, pasi viktimat mbetën të bllokuara brenda automjetit. Ekipet e emergjencës përdorën një vinç për të nxjerrë mjetin nga zona ku kishte përfunduar pas aksidentit.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




