Aksidenti tragjik me 7 tifozët grekë në Rumani, Hajdinaj: Mes viktimave dhe të plagosurve, 2 shqiptarë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Një aksident tragjik ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Rumani, ku si pasojë e përplasjes së një një furgoni me një trajler kanë humbur jetën 7 persona, mes të cilëve dyshohet 1 shqiptar, dhe janë plagosur 3 të tjerë. Mes të plagosurve, dyshohet se ndodhet gjithashtu një shqiptar.

Aksidenti fatal ndodhi pasditen e djeshme (27 janar) në rajonin e Timishoarës në Rumani.  Shumica e pasagjerëve ishin të rinj, deri në 30 vjeç. Ata po udhëtonin nga Greqia për në Francë për të parë ndeshjen e PAOK kundër Lyon, e cila është planifikuar të luhet më 29 janar për Europa League. Furgoni i zi, ku po udhëtonin tifozët, shkoi në drejtim të kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një trajler.

Eris Balli Hajdinaj, mësuese veprimtare nga Selaniku e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri me dije se mes tifozëve ndodheshin 2 shqiptarë, një prej të cilëve ka ndërruar jetë dhe një tjetër që ndodhet mes të plagosurve.

Ajo theksoi se ka qenë një tjetër makinë me targa greke e cila udhëtonte pas fugonit me tifozë, e cila ka filmuar të gjithë tragjedinë.

“Është një ngjarje shumë e dhimbshme. Ishin 10 të rinj, tifozë të skuadrës së tyre PAOK të cilët donin të ndiqnin ndeshjen live në Francë.

Ishte një aksident fatal me 7 të vdekur dhe 3 të plagosur. Shtypi grek nuk ka dhënë asnjë lloj informacioni, as për viktima e as për të mbijetuar. Mes viktimave ndodhet një shqiptar dhe mes të plagosurve një tjetër shqiptar. Ka ndodhur në Rumani dhe ambasada greke po bashkëpunon me autoritetet rumune mbi informacionet.

Një makinë greke që ndodhej pas autobusit ka filmuar ngjarjen si ka ndodhur aksidenti. Ishte një parakalim i palejuar dhe i përshpejtuar”, deklaroi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme