Anëtarësimi i Kosovës në NATO, Rubio: Kjo çështje nuk është në agjendën e vendeve anëtare

Kosovë | 4 muaj më parë

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio duke iu përgjigjur kongresmenit republikan Keith Self, i cili mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, u shpreh se ajo çështje nuk është në krye të agjendës së shteteve anëtare.

“Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s. Do të jem i sinqertë me ju. Bazuar në takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm, të paktën ajo që unë kam perceptuar është se, aktualisht, në përgjithësi, NATO-ja është aq e përqendruar në disa çështje të tjera, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, por edhe tema të tjera, nuk është realisht në krye të agjendës së këtyre vendeve. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë. Thjesht do të thotë se, duke pasur parasysh këto pika të tjera kjo çështje nuk ka zënë vend të rëndësishëm në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s” , u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmeni Keith Self gjatë seancës dëgjimore me Sekretarin Rubio mbështeti sërish anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Nisur nga vizita e tij e fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Self e cilësoi rajonin si jashtëzakonisht të brishtë, duke theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është një element kyç për ruajtjen e stabilitetit afatgjatë në rajon, por edhe për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore, kërkesë që e ka mbështetur edhe në një rezolutë të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve bashkë me dy kolegë të tjerë.

Duke iu referuar rajonit, Rubio u shpreh se shumë shpejt në Bosnje pritet të ketë një përfaqësues të ri të lartë ndërkombëtar, ndërsa foli për një zyrtar italian, por pa përmendur identitetin e tij. Sekretari i Shtetit shtoi se SHBA mbetet e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe se nuk dëshiron të shohë konflikte në atë rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme