Anija turistike “Silversea” në Sarandë, për herë të dytë këtë vit. Në nëntë muaj, 25 anije turistike

Aktualitet | 1 vit më parë

Në Portin e Sarandës mbërriti sot kruaziera amerikane “SilverSea”, një anije e kapacitetit të mesëm me rreth 400 turistë nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia. Anija erdhi nga Korfuzi, ndërsa vizitorët shijuan disa prej atraksioneve më të njohura të zonës, si Kalanë e Lëkurësit, Syrin e Kaltër dhe Parkun Antik të Butrintit.Kjo është vizita e dytë e “SilverSea” në Sarandë, pas ndalesës së parë në muajin korrik.

“Kjo është një anije e mesme me diku tek 400 persona. Kjo anije ka qenë edhe para dy muajve në Portin e Sarandës. Sot erdhi në orën 9 të mëngjesit dhe pasagjerët zbritën të organizuar nga kompanitë turistike. Shumica e turistëve janë amerikanë, kanadezë britanikë dhe australian”, tha operatori turistik, Enkelejd Proda.

Anija do të vijojë udhëtimin e saj në Mesdhe, me destinacionin e radhës Kroacinë. Sipas burimeve portuale, kjo është kruaziera e fundit për muajin shtator, por pritet që lëvizja e anijeve turistike të vazhdojë edhe në tetor e nëntor.

Kruaziera e sotme e çon në 25 numrin e anijeve turistike të mbërritura deri tani në Sarandë. Nga janari deri në shtator është shënuar një rritje e dukshme e fluksit të turistëve, me 21.5% më shumë pasagjerë dhe një rritje edhe më të lartë për mjetet, në masën 47.5%, krahasuar me një vit më parë.

Sezoni i këtij viti do të mbyllet më 22 dhjetor, me ardhjen e kruazierës së fundit për 2025, periudha më e gjatë turistike deri më sot për portin e Sarandës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme