Anije dhe avionë kërkojnë për 2 Navy SEAL-s të zhdukur pas një misioni për konfiskimin e pjesëve të raketave iraniane

Anije dhe avionë të marinës amerikane kanë kontrolluar zonat e Gjirit të Adenit për dy anëtarë të zhdukur të forcave speciale të marinës SEAL, të zhdukur të hënën. Më shumë hollësi po bëhen të ditura rreth misionit të tyre për të kapur një mjet detar, që transportonte pjesë këmbimi për raketat balistike iraniane me rreze të mesme, ndërsa lëvizte drejt Somalisë. Kjo u bë e ditur nga zyrtarë amerikanë të mbrojtjes.
Zyrtarët thanë se ekuipazhi që lundronte pa flamur, synonte t’i transferonte pjesët e raketave në det të hapur tek një anije tjetër në afërsi të bregdetit të Somalisë.
Pjesët në fjalë kishte mbushje të raketave dhe motorë. Anija e kapur ka një historik transportimi të paligjshëm armësh nga Irani drejt Somalisë, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar detaje që nuk janë bërë publike.
SEAL-t ishin në USS Lewis B. Puller, një anije me bazë ekspeditash detare të marinës. Ata udhëtuan me anije të vogla luftarake për operacione speciale të drejtuara nga ekuipazhi i luftës detare për të mbërritur në varkën pa flamur.
Ndërsa ata hipnin mes detit të trazuar, rreth orës 8 të mbrëmjes, njëri prej ushtarakëve u godit nga valët e fuqishme dhe një koleg u hodh në det pas tij. Të dy anëtarët e forcave speciale nuk u gjendën më.
Ekipi që hipi në varkën e vogël përballej me rreth një duzinë anëtarësh të ekuipazhit. Anëtarët e ekuipazhit, të cilët u morën në paraburgim, nuk kishin dokumente, gjë që lejonte kontrollin e anijes. Armët u konfiskuan dhe anija u fundos, një procedurë rutinë që zakonisht përfshin hapjen e vrimave në anije.
Zyrtarët amerikanë thanë se temperatura e ujërave në Gjirin e Adenit është e ngrohtë dhe ushtarakët e njësive speciale SEAL stërviten për të përballuar emergjenca të tilla. Të hënën, marina kishte nisur për operacione kërkimi anije, helikopterë dhe dronë.
Marina amerikane ka kryer misione të rregullta ndalimi në rajon, duke përgjuar për armë në anijet që ishin nisur për Houthi-t e mbështetur nga Irani në Jemen.
Zyrtarët kanë thënë se misioni SEAL nuk ishte i lidhur me Operacionin Prosperity Guardian, misionin në vazhdim i SHBA-së dhe ndërkombëtarve për të ofruar mbrojtje për anijet tregtare në Detin e Kuq, ose nga sulmet hakmarrëse që Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kryer në Jemen dy ditët e fundit. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




