Arrestohet në Durrës biznesmeni Ergys Agasi
Forcat e Posaçme Operacionale kanë finalizuar me sukses kapjen e biznesmenit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) lidhur me dosjen AKSHI. Arrestimi i tij është kryer në zonën e Plepave në qytetin e Durrësit, teksa ai ishte duke udhëtuar me automjetin e tij.
Në makinë me të shumëkërkuarin ndodhej edhe Uljan Shpataraku, ish-polici i shpallur në kërkim dhe i përjashtuar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Policia ka ndarë pamjet nga momenti i arrestimit të Agasit, makina e të cilit është ndaluar në mes të rrugës në zonë e Plepave në Durrës, ndërsa Forcat Operacionale e kanë nxjerrë nga makina për ta arrestuar, ku duket se nuk ka bërë rezistencë. Gjithashtu RTSH ka siguruar pamjet e Agasit ku ndodhet brenda makinës së policisë pas arrestimit të tij.

Agasi ishte një nga personat kyç për të cilët SPAK kishte lëshuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, masë e cila deri në momentin e operacionit nuk ishte bërë e mundur të ekzekutohej. SPAK ka ngritur akuza për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera lidhur me prokurimet e AKSHI-t, si dhe dyshime për pastrim parash.
Operacioni “The Wanted”
Arrestimi i Agasit është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, e cila në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ka finalizuar operacionin e koduar “The Wanted”.
Sipas policisë, si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në qytetin e Durrësit e shtetasit Ergys Agasi (E. A.), i cili ishte shpallur në kërkim me masë sigurie “Arrest në burg” nga SPAK-u, si i dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, në të njëjtin automjet me të shumëkërkuarin ndodhej edhe shtetasi Uljan Shpataraku (U. Sh.), i cili po ashtu u arrestua nga policia. Shpataraku ka mbajtur më parë detyrën e Asistentit të Drejtorit të Departamentit të IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përpara se të përjashtohej nga radhët e uniformave blu.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “The Wanted”. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”. Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u. Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Kush është ish-zyrtari që shoqëronte Agasin
Uljan Shpataraku ka mbajtur postin e Asistentit të Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë e Informacionit (IT) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Karriera e tij në këtë institucion ishte ndërprerë pak muaj më parë përmes masave disiplinore.
Pezullimi fillestar
Më 4 mars të këtij viti, ai u pezullua nga detyra me urdhër të ish-drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.
Përjashtimi përfundimtar
Së fundmi, me firmën e Drejtorit të ri të Përgjithshëm, Skënder Hita, Shpataraku është përjashtuar përfundimisht nga radhët e administratës së Policisë së Shtetit.
Akuzat që rëndojnë mbi biznesmenin
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Ergys Agasi dyshohet për përfshirje në një sërë veprash të rënda penale, duke operuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Ndaj tij rëndojnë akuza të shumëfishta që lidhen me abuzimet në tenderat shtetërorë, ushtrimin e dhunës dhe pastrimin e parave.
Konkretisht, veprat penale për të cilat ai akuzohet përfshijnë:
- Shkelje e barazisë në tendera: Ndërhyrje dhe manipulim i garave apo ankandeve publike për përfitime të jashtëligjshme.
- Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës: Përdorimi i metodave të dhunshme dhe shantazhit për të eliminuar apo dëmtuar konkurrencën në treg.
- Heqje e paligjshme e lirisë: Përdorimi i forcës fizike dhe izolimi i personave të tjerë në kundërshtim me ligjin.
- Pastrim i produkteve të veprës penale: Përfshirja në skema për fshehjen dhe ligjërimin e aseteve e të ardhurave të përfituara nga veprimtaria kriminale.
- Grup i strukturuar kriminal: Kryerja e të gjitha veprave të mësipërme në formën e bashkëpunimit të veçantë si pjesë e një organizate të mirëfilltë kriminale.
Agasi dhe Beqiraj, “kokat” e së njëjtës dosje të SPAK
Arrestimet e biznesmenëve Ergys Agasi në Durrës dhe Ermal Beqiraj në Francë nuk janë thjesht dy aksione të veçuara policore, por mbyllja e rrethit për një nga dosjet më komplekse të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Të dy të pandehurit konsiderohen si bashkëpunëtorë të ngushtë dhe figurat qendrore të të njëjtit grup të strukturuar kriminal.
Nga 8 personat e vënë nën akuzë për këtë dosje – ku përfshihen edhe zyrtarë të lartë publikë, Agasi dhe Beqiraj ishin të vetmit që i kishin shpëtuar valës së parë të arrestimeve. SPAK i lidh drejtpërdrejt të dy biznesmenët në një skemë të përbashkët që synonte manipulimin e tenderave publikë, duke eliminuar konkurrencën përmes shantazhit e dhunës fizike, për të pastruar më pas paratë e përfituara.
Akuzat e përbashkëta në dosje
Si drejtues të dyshuar të këtij rrjeti, mbi dyshen Agasi-Beqiraj rëndon e njëjta masë sigurie “Arrest në burg” për një sërë veprash të rënda penale, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal:
- Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike.
- Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës.
- Heqje e paligjshme e lirisë.
- Pastrim i produkteve të veprës penale.
Pasuria e Ergys Agasit e sekuestruar nga SPAK-u
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 26690.9m², nga kjo ndërtesë me sipërfaqe 346.2 m², me vendndodhje në QehaShytaj, Petrelë, Tiranë;
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 5288.1m², nga kjo ndërtesë 1 kat me sipërfaqe 182.2 m², me vendndodhje nëQeha, Petrelë, Tiranë;
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 5288.1m², nga kjo ndërtesë 1 kat me sipërfaqe 182.2 m², me vendndodhje nëQeha, Petrelë, Tiranë;
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 8956m², nga kjo ndërtesë 1 kat me sipërfaqe 568 m², me vendndodhje në Qeha, Petrelë, Tiranë;
– Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe 8260.2 m2 dhe ndërtim 2 kat me sipërfaqe 490.2 m2;
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 911.3 m², nga kjo ndërtesë sipërfaqe 350.8 m²;
– Pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 9316.1m², nga kjo ndërtesë 2 kat me sipërfaqe 192.8 m²;
– Pasuria e llojit truall me sipërfaqe 406.34 m² me ndërtesë, Lundër, Tiranë;
– Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 10300 m²;
– Pasuria me nr.47/215, e llojit truall, me vendndodhje nëzonën kadastrale 8518, me sipërfaqe 400m², Durrës;
– Pasuria e llojit ndërtesë, me vendndodhje në ZK 8518 me sip. totale 165 m2;
– Pasuria e llojit apartament, Durrës;
– Pasuria e llojit garazh, Tiranë;
– Pasuria e llojit apartament, Tiranë;
– Pasuria e llojit apartament, Tiranë;
– Pasuria e llojit apartament, Tiranë;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit truall;
– Pasuria me nr.6/756, truall;
– Pasuria e llojit, apartament;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit apartament;
– Pasuria e llojit garazh;
– Pasuria e llojit truall dhe ndërtesë, Gjilek, Vlorë;
– Automjet Land Rover Defender 2023;
– Subjekti “E.A.S;
– Llogari bankare në OTP, Credins dhe BKT;
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




