Atentati, drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan: Dështuam në mbrojtjen e Trampit

Botë | 2 vite më parë

Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberli Çitëll (Kimberly Cheatle), ka deklaruar se agjencia dështoi në misionin e saj për të parandaluar atentatin ndaj ish-presidentit Donald Tramp (Trump), por hodhi poshtë thirrjet  për dorëheqjen e saj.

“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mbrojë liderët e kombit tonë. Më 13 korrik dështuam. Si drejtor i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo gabim të sigurisë”, tha Çitëlli gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Dhomës për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë.

Çitëlli tha se sulmi ndaj Trampit, i cili u plagos lehtë në veshin e tij të djathtë ndërsa fliste në një takim elektoral ishte “dështimi më i madh operacional i Shërbimit Sekret në dekada”.

“Është e qartë se ka pasur një gabim dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë”, tha ajo.

Republikanët dhe demokratët i kërkuan shefes së Shërbimit Sekret të japë dorëheqjen, pasi ajo shkaktoi zemërimin e ligjvënësve nga të dyja partitë. Çitëlli refuzoi të japë detaje specifike rreth sulmit, duke përmendur ekzistencën e hetimeve të shumta aktive.

“Me ju mund të flas në përgjithësi”, tha ajo.

20-vjeçari i armatosur, Tomas Methju Kruks (Thomas Matthew Crooks) hapi zjarr ndaj Trampit me një pushkë sulmi të stilit AR vetëm disa minuta pasi ish-presidenti republikan dhe kandidati aktual për Shtëpinë e Bardhë filloi të fliste në një tubim në Batler, Pensilvani.

Personi i armatosur, i vendosur në çatinë e një ndërtese aty pranë, u qëllua për vdekje nga një snajper i Shërbimit Sekret pak sekonda pas të shtënës së parë nga tetë të tilla.

Hetuesit kanë arritur në përfundimin se i riu, i cili jetonte në një qytet rreth 80 kilometra nga Butler, veproi i vetëm dhe ndaj tij nuk ishin në gjendje të identifikonin ndonjë prirje të fortë ideologjike ose politike.

Dy pjesëmarrës në tubim u plagosën rëndë dhe një zjarrfikës 50-vjeçar nga Pensilvania, Corey Comperatore, u qëllua për vdekje.

Në hapje të seancës kryetari i komitetit republikan, Xhejms Komer (James Comer) tha se “kjo tragjedi ishte e parandalueshme” dhe se “është bindja ime e fortë, drejtor Cheatle, që ju duhet të jepni dorëheqjen”.

“Shërbimi Sekret ka një mision; që ta ketë dështimin zero, por ai dështoi më 13 korrik dhe në ditët para tubimit”, tha Comer, duke shtuar se agjencia “është bërë fytyra e paaftësisë”.

Jamie Raskin, iu bashkua thirrjeve që Çitëlli të jepte dorëheqjen.

“Mendoj se drejtoresha e ka humbur besimin e Kongresit në një moment shumë urgjent në historinë e vendit”, u shpreh Raskin.

Çitëll i hodhi poshtë thirrjet për dorëheqje.

“Mendoj se jam personi më i mirë për të udhëhequr Shërbimin Sekret në këtë kohë”, tha ajo.

Shërbimi Sekret u njoftua “dy deri në pesë herë” përpara të shtënave për një “individ të dyshimtë” në tubim, tha ajo, por ai nuk u klasifikua menjëherë si “kërcënim”.

“Kishte ekipe që u dërguan për të identifikuar dhe intervistuar atë individ”, tha ajo, por ata nuk ishin në gjendje ta lokalizonin atë përpara se ai të hapte zjarr.

Ish-mjeku i Trampit tha gjatë fundjavës se kandidati republikan mori një plagë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në veshin e tij të djathtë që po fillon të shërohet.

Memorandumi nga ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Ronny Jackson, tani ligjvënës i krahut të djathtë nga Teksasi, dha detajet e para të lëndimit që pësoi Trampi.

“Plumbi kaloi, duke ardhur më pak se 2 centimetra nga pjesa e kokës së tij dhe goditi pjesën e sipërme të veshit të djathtë”, tha Jackson, i cili ka qenë duke trajtuar ish-presidentin.

Çitëll shërbeu për 27 vite si agjente e Shërbimit Sekret përpara se të largohej në vitin 2021 për t’u bërë drejtuesja e sigurisë në Amerikën e Veriut për PepsiCo. Në vitin 2022 ajo u emërua në krye të agjencisë nga Presidenti i SHBA, Xho Bajden (Joe Biden).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme